Lajme

Shqetësime teksa nëndetëset britanike hidhen në det për patrullime më të gjata


Nëndetëset e armatosura bërthamore Trident të Britanisë së Madhe janë vendosur në det për periudha rekord prej pesë muajsh secila.

Ndërkohë, një ish-komandant i marinës ka paralajmëruar se patrullimet më të gjata mund të ndikojnë në sigurinë operacionale.

Rob Forsyth, i cili ndihmoi në komandimin e nëndetëseve bërthamore Polaris në vitet 1970, ka thënë se “me patrullimet që tani zgjasin 150 ditë ose më shumë” sfida më e rëndësishme është disiplina e ekuipazhit.

“Rreziku i madh është se kjo rutinë e pandryshueshme, javë pas jave, çon në mërzitje, vetëkënaqësi dhe një rënie të pashmangshme të standardeve”, ka vijuar Forsyth.

Vitin e kaluar, një marinar u dënua me nëntë muaj burg pasi u përpoq të detyronte një kolege për të kryer marrëdhënie seksuale në një nëndetëse.

Kurse këtë vit, Adm Ben Key – kreu i Marinës Mbretërore – ka urdhëruar një hetim mbi akuzat “e neveritshme” për sulme seksuale dhe ngacmime të grave që punonin në nëndetëse.

Në vitin 2017, detarët në një nëndetëse Trident u pushuan nga puna pasi rezultuan pozitivë për përdorimin e kokainës.

Sipas Forsyth, shembujt e fundit të përdorimit të drogës dhe sjelljes së papërshtatshme seksuale të raportuara në media “me siguri janë pasojë e sfidave psikologjike të dislokimeve të gjata nënujore”.

“Kur ato zhvillohen në një mjedis përgjegjës për armët bërthamore, kjo krijon një nivel krejtësisht të ri shqetësimi, i mjaftueshëm për të pyetur nëse këto patrulla shumë të gjata janë një kërcënim për sigurinë e armëve bërthamore”, ka thënë ai.

Marina Mbretërore operon parandalimin e vazhdueshëm në det (CASD) në të cilin një nga katër nëndetëset e armatosura bërthamore është gjithmonë në patrullë.

Ato qëndrojnë gati për të goditur në rast që Britania e Madhe përballet me një sulm bërthamor ose një krizë ekstreme ushtarake.

Dikur patrullat nënujore zgjasnin tre muaj, por janë zgjatur pjesërisht sepse një nga katër nëndetëset Trident u riparua për shtatë vjet pas zbulimit të një rrjedhjeje në reaktor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore