Kosova

Shqetësim në Kosovë për gjendjen e Sanduloviç-it, heshtje në Serbi


Nikola Sanduloviç.

Përderisa në Kosovë pati reagime gjatë gjithë ditës që nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e deri tek nivele të tjera ndaj dhunës që është ushtruar tek ish-kandidati për president të Serbisë, Nikola Sanduloviç, në Serbi akoma institucionet dhe pushteti janë të heshtur lidhur me këtë rast.

E gjithë kjo ndodhi për shkak se Sanduloviç, bëri homazhe më 2 janar në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz duke vendosur një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Unë jam i vetmi politikan nga Serbia që kam ardhur për të nderuar viktimat e pafajshme shqiptare, familjen Jashari në Prekaz. Unë kërkova falje dhe kërkova falje në emër të serbëve që nuk e bënë këtë”, kishte shkruar ai.

Një ditë pas kësaj video, avokati i tij, Çedomir Stojkoviç, bëri të ditur se Sanduloviçi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Ish-kandidati për president të Serbisë, Nikola Sanduloviç.

Po në këtë ditë, Stojkoviç deklaroi se ishte bastisur banesa e tij në komunën e Beogradit “Savski venac”.

Duke vepruar kështu, ai ndau një foto të urdhrit të bastisjes të lëshuar nga Gjykata e Lartë Publike në Beograd. Sipas Stojkoviç, Sanduloviç është transferuar në burg ani pse “jeta e tij është në rrezik”.

 

“Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera. Ai përfundoi në spital në këtë gjendje të keqe, sepse pjesëtarët e sigurimit serb e kishin rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për të njëjtën arsye”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Sanduloviç citohet të ketë thënë se në mesin e personave që kanë ushtruar dhunë, ka arritur ta identifikojë politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin e armatosur terrorist më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e afërt, politikani opozitar serb është kthyer në gjendje shumë të keqe nga spitali të enjten pasdite, ku ka qenë duke marrë trajtim mjekësor intensiv.

Ai dyshohet se është paralizuar, megjithëse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rastin.

Reagimet në Kosovë ndaj rastit të Sanduloviç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” pas raportimeve se ish-kandidati për president të Serbisë, Nikola Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës serbe (BIA).

“Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviç është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Ky brutalitet i papërshkrueshëm, sipas kryeministrit, “përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin”.

“Është gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me [Vladimir] Putin-in ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, shtoi.

Edhe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se se “Serbia është ende në vitet ’90 dhe larg normalizimit të saj”.

“Aty rrihet i vetmi opozitar Sanduloviç dhe tentohet të eliminohet vetëm se e pranon të vërtetën e Kosovës”, shkroi ajo, derisa shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt.

Si shumë e shqetësuar është shprehur edhe kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, pas këtyre raportimeve.

Deputetja britanike një fenomen të tillë e ka ndërlidhur me politikat ledhatuese të perëndimit në raport me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Shumë parregullsi të vërejtura në zgjedhjet serbe rezultuan në vetëm shprehjet më të buta të shqetësimeve kalimtare nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Zbutja ka pasoja”.

Deri tani, as Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe as Agjencia e Sigurisë Informative (BIA), nuk kanë lëshuar ndonjë komunikatë për media lidhur me këtë rast.

Kush është Sanduloviç?  

Nikolla Sanduloviç, është kryetar i Partisë Republikane, parti e cila që nga themelimi në vitin 2015, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Në jetën politike të Serbisë, ai u shoqërua me polemika, kryesisht në lidhje me akuzat për përhapjen e lajmeve problematike, të cilat kulmuan gjatë pandemisë.

Megjithatë, ngjarja më e rëndë që lidhet me emrin e tij është nga janari i vitit 2010, kur ai u plagos në shpërthimin e një bombe të vendosur nën makinën e tij në Beograd.

Rasti është ende i pazbardhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore