Lajme

Shpresat për marrëveshjen e kthimit të emigrantëve në Turqi janë shuar


Një marrëveshje e mundshme kthimi për dërgimin e emigrantëve në Turqi duket se nuk ka gjasa të realizohet.

Dhe kjo vjen pas raportimeve se zyrtarët e Home Office thanë se nuk ishte një vend i sigurt për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut.

Referuar raportimeve të The Times, shpresat e ministrave për një marrëveshje kthimi, në të njëjtat linja si marrëveshja aktuale me Shqipërinë, kanë dështuar.

E gjitha pasi Turqia ishte “një shtet që nuk plotëson kriteret për të qenë përgjithësisht i sigurt”.

Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe konservatorët e tjerë kryesorë e kanë përshëndetur marrëveshjen me Shqipërinë si suksesin kryesor në përpjekjen e kryeministrit për të ndaluar kalimet me varka të vogla në Kanal.

Por tani duket se një marrëveshje e ngjashme me presidentin turk Recep Tayip Erdogan nuk ka gjasa të ndodhë.

Përqindja e shtetasve turq që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar  me varka të vogla u rrit nga 2% në vitin 2022 në më shumë se 10% vitin e kaluar.

Sipas mediave ndërkombëtare, rishikimi i Home Office zbuloi se një analizë tregoi se 99% e rasteve të azilit turk në MB bazoheshin në “frikën nga shteti”, me dokumentin gjithashtu kritik ndaj përdorimit “tepër të zellshëm” të vendit të ligjit kundër terrorizmit dhe pavarësia e gjykatave.

Një zëdhënës i Home Office tha se “bashkëpunimi ndërkombëtar luan një rol vendimtar në trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe MB dhe Turqia janë partnerë të ngushtë strategjikë, me një marrëdhënie të fokusuar në të ardhmen”.

“Aty ku një individ nuk ka të drejtë ligjore të jetë në MB, ne do të kërkojmë t’i kthejmë ata në vendin e tyre. Kërkesat e mbrojtjes konsiderohen në bazë të meritave të tyre individuale në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare – askush që rezulton të jetë në rrezik përndjekjeje ose dëmtimi serioz nuk do të kthehet”.

Sunak ka bërë zotimin e tij për të “ndaluar varkat” në qendër të postit të tij të kryeministrit.

Më shumë se 1 mijë emigrantë kanë mbërritur në MB deri më tani këtë vit pasi kanë kaluar Kanalin.

Ish-sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se ishte një vendim “shumë shqetësues”.

Në një postim në X, ajo tha se “si Sekretare e Brendshme kam punuar për propozime për ta renditur Turqinë si një vend të sigurt: një anëtar i Këshillit të Evropës, një aleat i NATO-s dhe një vend kandidat për anëtarësim në BE”.

“Qeveria duhet ta rimendojë këtë vendim”, sipas saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore