Të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra shtëpi u dëmtuan në qytetin rus të Belgorod-it pranë kufirit me Ukrainën.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia Reuters, duke cituar guvernatorin rajonal Vyacheslav Gladkov.
Gladkov raportoi një numër shpërthimesh në qytetin me rreth 400 mijë banorë, rreth 40 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.
Të paktën 11 ndërtesa banimi dhe 39 shtëpi u dëmtuan, duke përfshirë pesë që u shkatërruan, deklaroi Gladkov në kanalin e tij ‘Telegram’.
Ligjvënësi i lartë rus Andrei Klishas akuzoi Ukrainën për bombardimin e Belgorod-it dhe bëri thirrje për një përgjigje ushtarake.
“Vdekja e civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile në Belgorod janë një akt i drejtpërdrejtë agresioni nga ana e Ukrainës dhe kërkojnë përgjigjen më të ashpër”, shkroi Klishas në Telegram.
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Ukraina dhe Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportimet ruse.