Lajme

Shpërthim masiv pranë kufirit Turqi-Siri, regjistrohen viktima


Një shpërthim masiv ka tronditur kufirin Turqi-Siri mbrëmjen e 1 qershorit.

Lajmi u bë i ditur nga Christian Lister, drejtuesi i Programit të Sirisë në Institutin e Lindjes së Mesme.

Shpërthimi masiv, sipas Lister-it, ka goditur zonën Babisqa, pranë vendkalimit Bab al-Hawa me Turqinë.

Nga raportimi i anëtarit të lartë të MEI-së u bë e ditur se shpërtheu një depo armësh e Faylaq al-Sham.

“Disa vendas pretendojnë se një sulm ajror goditi objektin, të tjerë se ai mori zjarr. Ka disa viktima”, shkruan Lister në Twitter.

Këtë raportim e ka konfirmuar edhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Aktivistët e SOHR-it kanë monitoruar një gjendje paniku dhe frike midis civilëve dhe refugjatëve në kampet në veri të Sirisë.

Kjo, për shkak të shpërthimeve të njëpasnjëshme dhe raketave të lëshuara nga depoja e municioneve në fshatin Babisqa në fshatin verior të Idlib-it.

Raketat goditën zonat pranë fshatrave Kafr Lucien, Akarbat dhe Sarmada, shkruan SOHR-ja.

Vlen të përmendet se zona mban mijëra civilë të zhvendosur dhe refugjatë nga të gjitha provincat siriane.

Ajo konsiderohet si një nga zonat më të populluara në veriperëndim të Sirisë, për shkak të pranisë së dhjetëra kampeve në zonë.

“Pak orë më parë u dëgjuan shpërthime të njëpasnjëshme në afërsi të kufirit siriano-turk, si pasojë e shpërthimit të një magazine municionesh të Legjionit Al-Sham, në qytetin Babisqa pranë kampeve në veri të Idlib-it”, thekson në përmbyllje observatori.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore