Lajme

Shpërthen akuariumi gjigant i Berlinit që përmban 1500 peshq


Akuariumi gjigant në hollin e hotelit Radisson Blu në qendër të Berlinit ka shpërthyer.

Çka ka përmbytur hotelin dhe rrugët aty pranë.

“AquaDom”, i cili përmbante 1 mijë e 500 peshq tropikal, është 14 metra i lartë dhe përshkruhet si akuariumi cilindrik më i madh në botë.

Sipas autoriteteve policore, ka pasur “dëmtime të jashtëzakonshme” dhe dy persona janë plagosur nga copat e  xhamit.

Dëme të konsiderueshme ka edhe në hollin e hotelit.

Sakaq, copat e xhamit dhe pjesë të tjera janë shpërndarë edhe në rrugën para ndërtesës, e cila qëndroi e mbyllur për shkak të vërshimeve.

Akuariumi u modernizua dy vjet më parë dhe ka një ashensor me mure të qarta të ndërtuara brenda për përdorim nga vizitorët.

Madje, disa nga dhomat në hotel reklamohen se kanë pamje nga akuariumi.

Brigada e zjarrfikësve të Berlinit ka deklaruar se më shumë se 100 zjarrfikës ishin të pranishëm dhe nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi thyerjen.

Kurse Autoriteti i Transportit Publik të Berlinit ka thënë se rruga Karl-Liebknecht jashtë hotelit ishte mbyllur për shkak të “një sasie ekstreme uji në rrugë”.

Referuar policisë, “sasi masive” uji po derdhej në rrugët e afërta dhe njerëzit në zonë duhet të vozisin me kujdes.

Ndërkohë, mysafirët janë zhvendosur nga hoteli.

“AquaDom” operohet nga SeaLife, i cili drejton atraksione në vende ndërkombëtare.

Akuariumi përmbante më shumë se 100 lloje të ndryshme peshqish.

Në faqen e vet të internetit ka treguar më herët se atraksioni ishte mbyllur përkohësisht dhe u ka kërkuar vizitorëve të riplanifikonin biletat e tyre.

“AquaDom” u hap në dhjetor 2003 dhe iu dha Rekordi Botëror Guinness si akuariumi cilindrik më i madh në botë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore