Kosova

“Shpenzohet paraja publike, deputetët kthehen në hetues” – LVV-ja kundër themelimit të Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore


Arben Gashi dhe Mimoza Kusari - Lila

Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte po diskuton themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Për nevojë e themelimit të një komisioni hetimor për çështjen e rezervave shtetërore ka folur Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Sipas tij një hetim i tillë për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, është i domosdoshëm.

“Ne deputet nënshkrues e konsiderojmë se është e domosdoshme që te kemi hetim parlament për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështje të rezervave shtetërore si dhe te propozojmë hetimin e çështjeve duke mos u kufizuar vetëm në çështjen ne vijim”, shtoi ai.

Themelimin e një komisioni të tillë e kundërshtoi Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Gjatë fjalës së saj kundërshtuese ndaj kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor, Kusari – Lila akuzoi deputetët se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë.

“Me datën 5 shtator LDK ka ndërmarrë një hap, që është hap i ngutshëm sipas LVV-së, duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor. Disa muaj më herët, në foltore, e në medium, janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat. Dyshime për të cilat ka reaguar prokuroria, në gushtë në mënyrë spektakulare ka arrestuar dy persona në MINT”, tha ajo.

Kësisoj, Kusari – Lila ka pretenduar se ky komision, do të krijojë skena dhe “show” mediatik dhe do të shpenzohet për së koti paraja publike, pasi sipas saj, hetuesit po merren me këtë çështje.

“Kjo kërkesë nuk ka kuptim, opozita ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, aktualisht po tregojnë mosbesim ndaj punës së tyre. Mendojnë që përfaqësuesit e Kuvendit mund të jenë hetues më të mirë, se sa organet e rendit. Më duhet t’i kthehem përvojës nga Komisioni Parlamentar për Menaxhimin e Pandemisë ku ka pasur dëshmitarë që nuk janë përgjigjur”.

“Prandaj, do të përfundojmë me komision hetimor që synon të krijojë skena interesante, të krijojë show mediatik, të shpenzojë paranë publike, t’i kthejë deputetët në hetues, përderisa hetuesit janë duke u marrë me çështje”, shtoi ajo.

Mimoza Kusari – Lila, Arben Gashi dhe Driton Selmanaj

 

Gashi duke kundërshtuar konstatimin e shefes së grupit parlamentar të partisë në pushtet se deputetët do të shndërrohen në hetues, theksoi se Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk kërkon dokumente prej Prokurorisë.

“Nuk merr komisioni prej prokurorisë por, çon në prokurori. Grup kërkues për hetimin e këtij komisioni është LDK-ja. Shpenzimet i përcakton komisioni vet”, ka thënë ai.

Në debatin Kusari – Gashi për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore u inkuadrua edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili përmendi emrin e Ridvan Muharremit, të dyshuarit në rastin e keqmenaxhimit me rezervat shtetërore.

“Mos u frikësoni nga e vërteta. Po duam ta dimë, secili cent i këtij populli ku po shkon. Kush është Ridvani, kush është Martini? Këto po duam t’i dimë. Behët fjalë për paratë e popullit”, tha ai.

Selmanaj gjithashtu i quajti si të paqëndrueshme pretendimet e Kusari – Lilas se Komision po i përzihet, në punët e pavarura të Prokurorisë e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore