Shije

Shpendi i rrallë, folenizon për herë të parë në Shqipëri


Shqipëria njihet si një vend me ekosistem mjaft të pasur. Në ligatën Vjosë-Nartë janë gjetur lloje të ndryshme shpendësh.

Ky ekosistemi lagunor bregdetar, prej vitesh është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e shpendëve që shumohen në të.

Për specialistët laguna Vjosë-Nartë është një oaz i paqtë për folezimin e shumë shpendëve, mes tyre ka edhe të rrallë.

Një lajm të mirë na përcjell Shoqata “Shpendët e Shqipërisë”, në rrjetet e saj sociale, ajo shkruan se konfirmohet për herë të parë folezimi i qyqes me çafkë në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Ndër të tjera thekson se ‘Qyqja me çafkë (Clamator glandarius) është lloj që shihet tepër rrallë në Shqipëri gjatë periudhës së kalimit, dhe akoma më rrallë gjatë asaj të folezimit.’’

Popullata folezuese e këtij lloji në Shqipëri është raportuar në nivelet e 1-9 çiftesh dhe vetëm në zonën ligatinore Shkumbin-Seman dhe atë të Drinos.

Kjo gjetje e fut edhe Vjosë-Nartën në territoret e folezimit të këtij lloji.

Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” tha se “kjo gjetje e jona e fut edhe Vjosë-Nartën në territoret e folezimit të këtij lloji.

Kërkuesit , për herë të parë e hasën çiftin e qyqes me çafkë në fillim të muajit prill dhe më tej territori është vizituar disa herë deri në fillim të muajit maj duke e hasur çiftin në çdo vizitë kërkimore”.

Në një rast qyqja me çafkë u vërejt fare pranë folesë së një laraske, që me shumë gjasë është një prej foleve ku ka lëshuar së paku nje vezë, pasi sikurse dihet, të dy llojet e qyqeve që hasen në vendin tonë janë parazitare të foleve të shpendëve të tjerë (kryesisht të llojeve të familjes së korbave)”, – thekson shoqata “Shpendët e Shqipërisë”.

Kjo gjetje dëshmon edhe njëherë diversitetin e lartë të shpendëve në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore