Lajme

Shpallja e zgjedhjeve në Serbi nga Vuçiç, “blerje kohe” dhe “pritje e Trump-it”


Foto: Albanian Post

Pak ditë pasi mori mesazhe të qarta se duhet të bëjë hapa konkret në zbatim të Marrëveshjes Bazike, nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duke tentuar ‘’të blejë kohë’’ dhe ‘’ta ulë presionin ndërkombëtar’’, vendosi t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat pritet të mbahen më 17 dhjetor, duke e lënë kështu dialogun “nën hije’’, i cili u intensifikua pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Se do ketë prolongim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Vuçiç vendosi ta kërkojë legjitimitetin e votueseve serbë, e pohon për Albanian Post edhe Frank G. Wisner, ish i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet rreth statusit final për Kosovën, teksa shton se kreu i shtetit serb nuk është i gatshëm “për kompromise”.

“Zgjedhjet kanë ndikim në dialogun mes dy shteteve, Vuçiç vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve në një fazë intensive të dialogut. Unë mendoj se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve do jetë pengesë për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Unë nuk e shoh Vuçiçin të gatshëm të lëshoj pe në dialog sa i përket njohjes de facto të Kosovës. Vonesa e dialogut i shërben këtij qëllimi”, tha Wisner.

Ndryshe nga Wisner, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç, në një bisedë për Albanian Post bën një analogji interesante për këtë çështje, duke e lidhur mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi si “blerje në kohë”, për ta pritur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme të lë përshtypjen e blerjes së kohës dhe shpresës se zoti Trump do të zgjidhet president në mënyrë që të arrihet një zgjidhje tjetër Serbi-Kosovë”, beson ish-kryediplomat kroat, që ka doktoruar si historian.

Muajin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kishte dekoruar ish të dërguarin special të Trump-it për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell me ‘’urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë’’.

Ndërsa për Valon Murtezajn, profesor universitar në Paris dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi nuk përben befasi për të, meqë thotë për AP se në të gjitha qeveritë e Serbisë, përfshirë këtë aktualen, në mënyrë të vazhdueshme, zgjedhjet apo shpallja e tyre, janë përdorur “si taktikë”, për ta ndikuar procesin e dialogut.

“Vuçic edhe kësaj radhe po përdor zgjedhjet që të shmang obligimet e zbatimit të marrëveshjeve pjesë të dialogut. Po ashtu duhet theksuar që edhe dialogu është përdorur si mjet për të ndikuar zgjedhjet, duke treguar para votuesve se Serbia nuk bën kompromise. Si pasojë, kjo mënyrë e sjelljes e Serbisë, është destruktive dhe nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve për çka zhvillohet ky dialog i ndërmjetësuar nga BE, për më shumë se një dekadë”, nënvizoi Murtezaj.

Pos arsyes kryesore, për stagnim të dialogut, në këndvështrimin e politologut Allen Meta, presidenti serb shpejtoi për t’i shpallur zgjedhjet, meqë “u frikësua edhe nga protestat masive” që u mbajtën kundër tij sivjet në Beograd, ku ndër të tjera protestuesit e akuzuan Vuçiç-in që ka ndikuar që të ketë një klimë të urrejtjes dhe glorifikimit të dhunës në vendin e tij.

“Që të mos ndalet e njëjta këto akte të dhunës dhe urrejtjes janë shpërndarë edhe në vendet përreth. Në rastin konkret edhe Kosova është tentuar të destabilizohet përmes sulmit terrorist në Banjë më 24 shtator përmes grupeve të ekstremit të djathtë, në të njëjtën kohë të afërta me vetë presidentin e Serbisë. Të gjitha këto kanë vënë në presion Serbinë nga të gjitha anët, si nga aspekti lokal, ai rajonal por edhe ndërkombëtar”, theksoi Meta për AP.

Si rrjedhojë, për Metën, kjo ka vënë ‘’në presion skenën politike’’ serbe dhe me këtë Vuçiç ka shpallur zgjedhjet që do të ndikojnë në dy aspekte.

“Njëri aspekt ka të bëjë me blerjen e kohës dhe pauzimin e dialogut për një kohë që të fokusohen te aspekti i zgjedhjeve, kështu duke shmangur për një periudhë dialogun dhe si rrjedhojë të ulet presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, dhe aspekti tjetër për të parë përkrahjen reale të qytetarëve dhe atë se për cilën anë do të vendosin qytetarët, dhe kjo pastaj do ta bënte më të lehtë edhe qasjen në dialog”, shtoi ai.

Diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, por presidenti serb refuzoi ta bëj këtë, duke potencuar se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, “as de facto as de jure” dhe as anëtarësimin e saj në OKB.

Kurti e Vuçiç pritet të takohen në kuadër të Forumit të Paqes që do mbahet në Paris më 10 dhe 11 nëntor për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore