Shqipëria

Pacolli, fitues i Aeroportit të Vlorës


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, shpalli fituesin e Aeroportit të Vlorës.

Konsorciumi fitues është Mabco Construction, Mabetex Group. Është i regjistruar në Zvicër. Vlera e investimit e ofruar, 103 milionë e 966 mijë e 30 euro. Ky konsorcium ka ndërtuar mbi 6 aeroporte në botë. Alde Corporation Limited, kompania tjetër garuese me bazë në Londër, nuk i ka përmbushur kriteret teknike. Nuk ka pasur as eksperiencën, as kushtet financiare.

“Kemi pasur dy garues. Njëra nga ofertat është ALDE Coorporation, që nuk ka përmbushur asnjë kriter. Kompania tjetër dhe fituese është e regjistruar në Zvicër, është një bashkim Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%)”, deklaroi Balluku.

Balluku rikujtoi se kjo garë ka filluar në vitin 2019. Gara duhet të mbyllej në mars të vitit 2020. Balluku cilësoi se, për shkak të fillimit të pandemisë, këto procese ngrinë.

Aeroporti i Vlorës në të ardhmen do të jetë shtëpia e Air Albania. Ky aeroport do të ketë disa sektorë të rinj. Hapja e aeroportit të Kukësit dhe, për më tepër, me nisjen e negocimit të kësaj kontrate në jo më pak se 30 ditë, do të hapë një fazë të re për aeroportin e Sarandës. Do të bëhet një studim fizibiliteti në zonën e Korçës.

“Jam shumë i lumtur që baza e këtij konsorciumi është një kompani e famshme, kompani me vepra fantastike, një kompani që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri tha se konsorciumi ka një eksperiencë shumë të suksesshme në fushën e aviacionit. “Do të kemi një aeroport që do të jetë në kornizën e çmimeve që janë në Evropë”.

“Duke pasur një partner si Behgjet Pacolli, kemi mundësinë që ta vëmë përpara përgjegjësisë së madhe të nderit në raport me mbarë popullin dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja”.

Kryeministri tha se ambicia është që të realizohen katër aeroporte ndërkombëtare. Rama i cilësoi aeroportet fabrika të mëdha të zhvillimit ekonomik.

“Aeroportet sjellin punësim për të gjithë hapësirën ku kanë ndikimin e tyre. Janë pika që garantojnë një lëvizje të jashtëzakonshme brenda trupit të ekonomisë globale”, pohoi kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se ky aeroport do të hapë një tjetër kanal zhvillimi shumë të rëndësishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore