Lajme

Shoqata e Gastronomëve: Aksioni me bori ishte vetëm paralajmërim për Qeverinë


Protesta e gastronomeve ne Prishtine

“Ky aksion ishte vetëm paralajmërim për Qeverinë e Kosovës”, deklaruan nga Shoqata e Gastronomëve në nivel vendi, pas protestës që organizuan të dielën mbrëma, kundër masave të reja anti COVID, të cilat i ndërmori së fundi Qeveria e Kosovës, “për të shprehë kundërshtimin tonë që ky vendim është i padrejtë dhe i papranueshëm për gastronomët”.

Qindra Gastronomë në Prishtinë, me fillim nga ora 23:00, lëvizën rrugëve të kryeqytetit, pa adresë, duke i’u rënë burive të veturave, në shenjë proteste.

Përmes borive, ata protestuan rrugëve të kryeqytetit, edhe në afërsi të qeverisë, duke e bllokuar komplet qytetin.

“Masat nuk kanë kuptim që të kufizojnë veprimtaritë biznesore, por të stimulojnë vaksinimin e popullatës, si zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë. Përderisa i lejojmë të hyjnë vetëm personat e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi, pse të mos punojmë me kapacitete të plota?!”, thuhet në një reagim të kësaj shoqate.

“Falënderojmë përzemërsisht gastronomët për pjesëmarrjen masive në organizimin tonë!”.

Por kjo nuk do të jetë iniciativa e fundit e ndërmarrë nga përfaqësuesit e bisneseve të gastronomisë.

“Vazhdojmë nesër me mbledhjen e Kuvendit të Anëtarëve të Shoqatës në ora 14:00 pranë Hotel Sirius”, kanë njoftuar përfaqësuesit e tyre, në llogarinë zyrtare të Shoqatës.

“Për të shqyrtuar veprimet tona të ardhshme!”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Me thirrjen “Muzika nuk vret”.

Masat e reja anti Covid të Qeverisë së Kosovës

Masat e reja anti-COVID do të vazhdojnë të jenë të njëjta me ato që ishin në fuqi më 27 shtator, përveç kufizimit të lëvizjes dhe orarit të gastronomisë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur për Albanian Post se kufizimi i lëvizjes do të zgjatet deri në ora 00:00, ndërsa orari i gastronomisë deri në orën 23:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore