Shqipëria

Shndërrimi i pashembullt i Rinasit – 7.2 milionë pasagjerë deri në gusht dhe rritje e pasagjerëve nga vendet ekzotike


Rinasi nuk njihet më dhe nuk i shëmbëllen aeroportit që njihej përpara vitit 2020.

Në katër vjet, ai është shndërruar krejtësisht dhe është kthyer në një motor të vërtetë të ofertës turistike në vend, me futjen e fluturimeve low cost fillimisht, rritjen e numrit të destinacioneve dhe një rritjeje fluksi të paimagjinueshme.

Në shifrat e fundit të marra nga vetë struktura aeroportuale, Albanian Post ka mësuar se për periudhën janar-gusht 2024, në Rinas pa pasur gjithsej 7 milionë e 233 mijë e 711 pasagjerë. Një shifër kjo eksponencialisht më e madhe se sa ajo e vitit të shkuar, e cila pa 4 milionë e 606 mijë e 805 për të njëjtën periudhë.

Një shifër kjo, e cila sheh mbi 2.6 milionë pasagjerë më shumë, ose e përkthyer, 56% më shumë fluks se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Me një ritëm të tillë rritjeje, ndërkohë që vjet u tejkalua shifra e 10 milionë turistëve, këtë vit mund të arrihet edhe një shifër drejt 13-14 milionë, sipas projeksioneve.

Vetëm për muajin gusht 2024, krahasuar me një vit më parë, ka pasur 368 mijë e 456 pasagjerë më shumë, ose në terma përqindjeje, 41.7%.

Dita e cila ka arritur rekordin ka qenë ajo e 16 gushtit, me përpunimin e 45 mijë e 454 pasagjerëve.

Gushti 2024 është po ashtu muaji i tretë radhazi, në të cilin Rinasi për të parën herë përpunon mbi 1 milion pasagjerë.

Sipas shifrave, në qershor ka pasur 1 milion e 73 mijë e 758 pasagjerë. Në korrik numri ka shkuar në 1 milion e 191 mijë e 182 pasagjerë. Rekordin e ka arritur në gusht, me 1 milion e 251 mijë e 467 pasagjerë.

Vlen për tu përmendur edhe fakti se tashmë janë shtuar edhe turistët nga vende më ekzotike në Shqipëri dhe jo vetëm prej vendeve tradicionale, të cilët janë turistët nga Evropa dhe Amerika.

Ndër vendet, prej të cilave fluksi turistik drejt Shqipërisë po rritet, përmenden Australia e largët, me 9 mijë e 750 hyrje. Po ashtu, edhe Zelanda e Re ka parë një shtim fluksi, me 1 mijë e 887 hyrje. Edhe nga Japonia ka pasur shtim, me 1 mijë e 642 hyrje.

Nga Amerika e Veriut, ka pasur një shtim të udhëtarëve nga Kanadaja, të cilët kanë kapur këtë vit shifrën e 17 mijë e 55 hyrjeve.

Por, me shtimin e ofertës nga vetë Aeroporti i Rinasit dhe me përfundimin e një piste të përshtatshme për fluturimet ndëroqeanike, do të mund të shihen ndoshta shtime eksponenciale të numrit të turistëve edhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore