Kosova

Shkumbin Mehmeti kërkoi seancë të mbyllur për rastin e vrasjes së policëve në procesin e ri gjyqësorë


Erdhi në seancë për të dëshmuar si dëshmitarë i mbrojtjes, por bëri që deklarata e tij në këtë seancë të mos dëgjohet nga publiku.

Shkumbin Mehmeti kërkoi nga trupi gjykues i këtij rasti i cili po kryesohet nga gjykatësi Arben Hoti, që seanca të mbyllet kur ai të jap dëshminë, për shkak të rastit senzitiv.

E këtë kërkesë, nuk e ka kundërshtuar prokurorja speciale Habibe Salihi, të cilën më pas trupi gjykues e ka aprovuar.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar për vrasjen e dy policëve, një shqiptare e një i UNMIK-ut

“Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit, merr aktvendim, seanca mbyllet, publiku dhe të gjithë gazetarët dhe mediat të cilët merren me monitorimin e punës së gjyqësorit, duhet ta lëshojnë sallën, përveç monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së, të cilët monitorojnë të drejtat e njeriut”, tha gjykatësi Hoti, raporton Betimi për Drejtësi.

Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdari, të akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatë.

Një seancë para kësaj të së hënës, atë të tre majit të këtij viti, dy të akuzuarit në këtë rast nuk kanë pranuar të deklarohen pa qenë i pranishëm edhe  Shkumbin mehmeti, si dëshmitarë.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale, “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale, “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore