Lajme

Shkoi Lumezi, s’erdh askush – Kosova ka mbetur me U.D Kryeprokuror


Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mund të mbetet gjatë në këtë pozitë, pasi nuk ka ndonjë afat ligjor që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta dekretojë ose jo të propozuarin për Kryeprokuror nga Këshilli Prokuorial i Kosovës, Blerim Isufaj.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, ka thënë për Albanian Post se nuk bëhet fjalë për zvarritje, por për trajtim të kujdesshëm të kësaj çështjeje.

Po ashtu, Kupina ka potencuar se një kandidat ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështjen në fjalë, “për të cilën presidentja është njoftuar zyrtarisht dhe është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet në këtë drejtim”.

Bekim Kupina

“Osmani po ashtu ka kërkuar dokumentacion shtesë nga Këshilli Prokurorial, dhe i njëjti është duke u trajtuar në hollësi”, ka shtuar Kupina.

Ai ka theksuar se Osmani dhe ekipi i saj i këshilltarëve dhe ekspertëve ligjorë, janë takuar me përfaqësuesit e OJQ-ve si dhe me partnerë të tjerë, nga të cilët janë informuar për ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për kryeprokuror.

Ndërkaq juristi Arbër Jashari, ka theksuar për AP se ndonëse Kushtetuta e as Ligji nuk e ka paraparë ndonjë afat i cili do ta obligonte presidenten ta dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit, “ajo si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve, e ka për detyrë që këtë çështje ta trajtojë me përgjegjësi të lartë, brenda një afati sa më të shkurtër, duke shmangur zvarritjet e pajustifikueshme”.

“Presidentja nuk është e lidhur me proceduarat që mund të iniciojnë kandidatët e pakënaqur në Gjykatën Kushtetuese, e as me opinionet eventuale që mund të vijnë nga shoqëria civile ose dikush tjetër”, potencoi Shala.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Blerim Isufaj

Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Por, Fazliu më 28 prillit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Fazliu, pretendon se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuar me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore