Lajme

SHKK: Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt janë të shpërndarë në tri objekte – kanë nivel të lartë sigurisë


Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt më 29 nëntor në fshatin Bernicë në Prishtinë, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë.

“Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë”, thuhet në një njoftim për media të SHKK-së.

Po ashtu në njoftim theksohet se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin dhe do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar.

Gjatë ditës u raportuar se ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e Ademajt, Granit Plava, ka pasur një tentim-sulmi nga të burgosurit tjerë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Por, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, theksoi se në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë, ka reaguar menjëherë stafi dhe e ka parandaluar konfliktin.

“Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndjeshëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik”, ka thënë Dibrani për mediat në Prishtinë.

Dibrani ka mohuar se i burgosuri në fjalë ka tentuar të vetëvritet. Ai ka treguar se i burgosuri ka tentuar ta dëmtojë batanijen në dhomë, porse nuk ka pasur elemente të vetëvrasjes apo vetëlëndimit, ndërsa ka njoftuar se për shkak të këtyre rasteve, edhe niveli i sigurisë është rritur.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi”, ka theksuar ndër të tjera Dibrani.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimi prej 30 ditësh ndaj Plavës dhe dy të dyshuarve tjerë – Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla – për vrasjen e 30-vjeçares të premten e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet, përkatësisht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti. Nga viti 2010 në Kosovë janë raportuar 51 gra të vrara nga bashkëshortët e tyre.

Rasti i fundit, është ky i 29 dhjetorit, ku fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës, deri në momentin kur si i dyshuar kryesor nga institucionet rezultoi të jetë bashkëshorti i Liridona Ademajt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore