Lajme

Shkencëtarët zbulojnë molekulën që ndryshon nuhatjen pas COVID-it


Shkencëtarët kanë identifikuar “molekulën nxitëse”, e cila i bën aromat e këndshme të duken të neveritshme tek ata që u është ndërprerë nuhatja nga COVID-i.

Ndërprerja e nuhatjes është simptomë përcaktuese e COVID-it, ku rreth 18 për qind e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet se janë prekur.

Tanimë është identifikuar një molekulë shumë e fuqishme, që duket të jetë shkas për ndjenjën e neverisë që përjetojnë shumë prej atyre që janë prekur.

E quajtur 2-furanmetanetiol, kjo molekulë e gjetur në kafe, përshkruhet nga njerëzit me nuhatje normale si kafe.

Por, ata që kanë pasur ndërprerje të nuhatjes, e përshkruajnë si të neveritshme.

Bashkautorja e hulumtimit, Jane Parker, ka thënë se kjo është një provë e fortë se nuk gjenden “të gjitha në kokë”.

Megjithatë, “sistemi nervor qendror sigurisht që është i përfshirë në interpretimin e sinjaleve që ai merr nga hunda”, ka shtuar ajo.

Referuar një sondazhi ndërkombëtar të kohëve të fundit, rreth dhjetë për qind e atyre që kanë pasur ndërprerje të nuhatjes nga COVID-i e kanë përjetuar këtë ndjesi menjëherë pas sëmundjes.

Dhe përqindja është rritur në 47, kur të anketuarit u intervistuan përsëri gjashtë ose shtatë muaj më vonë.

Disa nga shkaktarët e saj, ndryshe parosmisë, përfshijnë kafenë, çokollatën, mishin, qepën dhe pastën e dhëmbëve.

Sakaq, hulumtuesit kanë hetuar nëse ka përbërës të veçantë brenda substancave përgjegjëse.

Duke bllokuar aromën e kafesë, ekipi ishte në gjendje të testonte komponimet individuale të kafesë te vullnetarët që kishin parosmi dhe të krahasonin reagimin e tyre me ata që nuk kishin.

Nga afro njëqind komponimet aromatike të pranishme në kafe, njerëzit me parosmi mund të tregonin përbërësit përgjegjës për ndjenjën e neverisë.

Shkencëtarët, mes 29 vullnetarëve, gjetën 15 përbërës të identifikuar që kishin shkaktuar parosminë, me fajtorin kryesor një kimikat të quajtur 2-furanmetanethiol.

Për këtë të fundit, 20 nga vullnetarët kanë thënë se kishte erë të tmerrshme.

Hunda ka më shumë se 400 lloje të ndryshme të receptorëve të nuhatjes, secili i ndjeshëm ndaj aromave të ndryshme.

Kimikati 2-furanmetanetiol ka një prag jashtëzakonisht të ulët për t’u zbuluar dhe është ndoshta një nga kimikatet e para që kthehet në radarin e një personi pasi humbet shqisën e nuhatjes.

Sipas Parker, truri duket se e kategorizon keq erën, por duhet më shumë punë për të kuptuar këtë element të gjendjes.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore