Lajme

Shkencëtarët shpresojnë të transmetojnë ADN-në dhe vendndodhjen e Tokës për alienët kureshtarë


“Edhe nëse alienët janë të shkurtër, të turpshëm dhe të fiksuar seksualisht”, mendoi dikur kozmologu i ndjerë, Carl Sagan, “nëse ata ekzistojnë, unë dua të di gjithçka për ta”.

I shtyrë nga i njëjti mentalitet, një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë i udhëhequr nga NASA ka zhvilluar një mesazh të ri, që synon të transmetohet në të gjithë galaktikën me shpresën për të kontaktuar jashtëtokësorët inteligjentë.

Misioni ndëryjor, i njohur si “Beacon in the Galaxy” (Feneri në Galaktikë), hapet me parime të thjeshta komunikimi, disa koncepte bazë të matematikës dhe fizikës, përbërësit e ADN-së dhe mbyllet me informacione për njerëzit, Tokën dhe një adresë kthimi nëse çdo marrës i largët i intereson të kthejë përgjigje.

Grupi i studiuesve, i kryesuar nga Dr. Jonathan Jiang në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s në Kaliforni, thotë se me përmirësimet teknike mesazhi binar mund të transmetohet në zemër të Rrugës së Qumështit nga grupi i teleskopëve “Allen” i Institutit Seti në Kaliforni.

Në një punim paraprak, i cili nuk është shqyrtuar nga kolegët, shkencëtarët rekomandojnë dërgimin e mesazhit në një unazë të dendur yjesh pranë qendrës së Rrugës së Qumështit – rajon që konsiderohet më premtues për shfaqjen e jetës.

Mesazhi, nëse largohet ndonjëherë nga Toka, nuk do të ishte i pari. Beacon in the Galaxy bazohet në mesazhin Arecibo të dërguar në 1974 nga një observator me të njëjtin emër në Porto Riko.

Ai synonte një grup yjesh rreth 25 mijë vite dritë larg, kështu që nuk do të arrijë së shpejti. Që atëherë, një mori mesazhesh janë transmetuar në qiej, duke përfshirë një reklamë për Doritos dhe një ftesë, të shkruar në Klingon, për një Opera Klingon në Hagë.

Përpjekje të tilla për komunikim ndëryjor nuk janë të drejtpërdrejta.

Shanset që një qytetërim inteligjent të përgjojë një mesazh mund të jenë jashtëzakonisht të ulëta dhe, edhe nëse do të kontaktoheshim, krijimi i një bisede të frytshme mund të rezultojë zhgënjyese kur një përgjigje mund të marrë dhjetëra mijëra vjet.

Mund të ndodhë që të huajt mund të mos e kuptojnë sinjalin: si një provë për mesazhin e Arecibo-s, Frank Drake, projektuesi i tij, ua postoi mesazhin disa kolegëve shkencëtar, duke përfshirë një numër laureatësh të Nobelit. Asnjëri prej tyre nuk e kuptoi.

Ka edhe shqetësime të tjera.

Më shumë se një dekadë më parë, shkencëtari i mirënjohur, Stephen Hawking, paralajmëroi se njerëzit duhet të përmbahen nga dërgimi i mesazheve në hapësirë, në rast se ata tërheqin llojin e gabuar të vëmendjes.

Profesor Stephen Hawking

“Nëse alienët do të na vizitojnë, rezultati do të ishte i ngjashëm me atë kur Columbus zbarkoi në Amerikë, gjë që nuk doli mirë për amerikanët vendas”, tha ai në një dokumentar të kanalit Discovery, përcjell Albanian Post.

Por, Dr Jiang dhe kolegët e tij argumentojnë se një specie aliene, e aftë për të komunikuar në të gjithë kozmosin, mund të ketë mësuar vlerën e paqes e bashkëpunimit dhe njerëzimi mund të ketë shumë për të mësuar prej tyre.

Dr. Anders Sandberg, studiues i lartë në Institutin e Ardhmërisë së Njerëzimit në Universitetin e Oksfordit, tha se “rreziku dhe përfitimi i përgjithshëm i dërgimit të mesazheve janë të vogla; është më mirë dhe më e sigurt për ne që të lëvizim në hapësirë ​​dhe shpresojmë që, përfundimisht, t’i gjejmë fqinjët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore