Lajme

Shkencëtarët japonezë zbuluan mikroplastikë nëpër re


Studiuesit në Japoni kanë konfirmuar se mikroplastika është gjithashtu e pranishme nëpër re, ku ka të ngjarë të ndikojnë në klimën në mënyra që ende nuk janë kuptuar plotësisht.

Në një studim të botuar në revistën “Environmental Chemistry Letters”, shkencëtarët japonezë u ngjitën në malin Fuji dhe malin Oyama për të mbledhur ujin nga mjegulla që mbulon majat, më pas aplikuan teknika të avancuara imazherike në mostrat për të përcaktuar vetitë e tyre fizike dhe kimike.

Ekipi identifikoi nëntë lloje të ndryshme polimerësh dhe një lloj gome në ajër, të cilat varionin në madhësi nga 7.1 në 94.6 mikrometra.

Çdo litër ujë re i testuar përmbante midis 6.7 dhe 13.9 copë plastike.

“Nëse çështja e ‘ndotjes plastike të ajrit’ nuk trajtohet në mënyrë proaktive, ndryshimet klimatike dhe rreziqet mjedisore mund të bëhen realitet, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme dhe serioze mjedisore në të ardhmen”, paralajmëroi autori kryesor i studimit, Hiroshi Okochi nga Universiteti Waseda.

Kur mikroplastika arrijnë në atmosferën e sipërme dhe ekspozohen ndaj rrezatimit ultravjollcë nga rrezet e diellit, ato shpërbëhen, duke kontribuar në krijimin e gazrave serrë, tha Okochi.

Mikroplastika – grimcat plastike nën pesë milimetra që vijnë nga ujërat e zeza industriale, tekstilet, gomat sintetike të makinave, produktet e kujdesit personal dhe burime të tjera – janë zbuluar tashmë në peshq, akull të detit Arktik dhe në borën e maleve të Pirenejve midis Francës dhe Spanjës.

Megjithatë, mënyra se si mikroplastika arrin në vende kaq të ndryshme është ende e paqartë.

“Për njohuritë tona, ky është raporti i parë i mikroplastikës në ujin e reve”, shkruan autorët në punimin e tyre.

Universiteti Waseda tha në një deklaratë se kërkimet tregojnë se “mikroplastika gëlltitet ose thithet nga njerëzit dhe kafshët dhe se ato janë zbuluar në disa organe si mushkëritë, zemra, gjaku dhe placenta”.

“Kjo nënkupton që mikroplastika mund të jetë bërë një komponent thelbësor i reve, duke ndotur pothuajse gjithçka që hamë dhe pimë përmes ‘reshjeve plastike'”, tha universiteti në shpalljen e rezultateve të reja të kërkimit.

Provat e reja lidhin mikroplastikën me një sërë efektesh të dëmshme në shëndetin e zemrës dhe mushkërive, si dhe kancer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore