Lajme

Shkeljet e shumta të Kushtetutës nga Qeveria, Forumi Rinor i LDK-së me aksion simbolik


Ilustrim

Në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së qeverisë duke vendosur një tepih me mbishkrimin “Gjykata e Republikës së Kosovës”.

Duke pasur parasysh shkeljet e shumta kushtetuese që qeveria e drejtuar nga Albin Kurti i ka bërë, Forumi Rinor i LDK-së e ka vlerësuar ekzekutivin aktual si shkelësin më të madh të aktit më të lartë juridik të vendit.

Paris Guri, kryetar i këtij forumi, ka deklaruar se në vend të urimit, “qeverisë duhet t’i rikujtohet se e ka shkelur Kushtetutën shtatë herë”, derisa i përmendi edhe ministrat që kanë shkelur Kushtetutën.

“Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, ka bërë shkelje kushtetuese duke ndërhyrë ne kompetencat e komunës se Kamenicës për reformën në Arsim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkelur Kushtetutën me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Gjykata Kushtetuese ia rrezoi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste te Veçanta te Destabilizimit ne Treg ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari”, potencoi Guri, teksa përmendi edhe vendimet anti-kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.

“Fatin e njëjtë e kishte edhe Kuvendi i Kosovës, me ç’rast akti i shkarkimit të anëtarëve të Bordit te RTK-se dhe anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u cilësua si jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Dhe për fund, edhe dy ligje të tjera të kësaj qeverie u rrezuan nga Kushtetuesja: Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publik”, deklaroi.

Përkundër kësaj praktike, sipas tij, “jashtëzakonisht të rrezikshme, qeveria dhe eksponentët e saj në asnjë moment nuk kanë treguar reflektim e pendese”.

“Përkundrazi, ata e kanë atakuar shtyllën thelbësore te demokracisë, Gjykatën Kushtetuese, mbrojtësen e dokumentit tek i cili secili pushtetar ka dhënë betim. Por ky betim për ta është  farsë siç është farsë edhe shërbimi ndaj Republikës”.

Duke e marrë parasysh se shkelja e Kushtetutës është shndërruar në diçka të zakonshme për këtë qeveri, shtoi ai, “si dhuratë po ja vendosim te hyrja këtë tepih meqë të tillë e kanë shndërruar aktin më të lartë juridik e politik të vendit, duke e shkelur sa herë qe kanë mundësi”.

Ndryshe, qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, gjatë periudhës tre vjeçare në krye të ekzekutivit kosovar, e ka shkelur plotë shtatë herë Kushtetutën – më shumë se çdo qeveri paraprake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore