Lajme

Shkelësit serikë të Kushtetutës


Në dy vjet e gjysmë qeverisje në mandatin katër vjeçar, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka shkelur – plotë – pesë herë Kushtetutën e Kosovës.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mjaft i zëshëm në sulmet dhe denigrimin e atyre personave që Gjykata Kushtetuese vendoste kundër vendimeve të tyre.

Madje, Kurti si opozitar deklaronte: ”Kush e shkelë ligjin është kriminel, kush e shkelë Kushtetutën është superkriminel”.

Por, vetë në pushtet shkeljen e Kushtetutës e ka bërë normë qeverisëse.

Shkeljen e parë do ta bënte Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës – që atë kohë udhëhiqje nga Qëndron Kastrati – për reformën në Arsim, prandaj edhe Gjykata Kushtetuese në një vendim të shpallur me 30 dhjetor të vitit të kaluar kishte thënë se ka tejkaluar kompetencat e veta.

“Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë”, thuhej në njoftim e Gjykatës.

Ky institucion i kishte sqaruar ministres Nagavci nenin i cili e mundëson vetëqeverisjen lokale.

“Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj”, thuhej në komunikatë.

Nagavcin do ta pasonte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i hartuar nga Haxhiu dhe kabineti i saj, ishte dërguar për tu vlerësuar kushtetutshmëria e tij nga deputetët e opozitës.

Vendimi i Kushtetueses, i publikuar me 24 mars, tregonte se ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës”.

“Paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.

Shkelja e tretë do të konstatohej me 4 korrik, kur Gjykata Kushtetuese, do të vendoste në favor të Komunës së Prishtinës, lidhur me dy vendime të ndara të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ku ishte miratuar propozimi i kryetarit të komunës, Përparim Rama, për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”, me destinim për ndërtim të shkollës, kopshtit dhe hapësirave gjelbëruese.

Kjo fitore e Komunës së Prishtinës ishte ndaj dy ministrive, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, dhe ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të drejtuar nga Rozeta Hajdari.

Aktgjykimi konstatonte që përmes pezullimit të vendimeve të Komunës së Prishtinës, MAPL dhe MINT nuk e kishin ushtruar kompetencën e kontrollit administrativ në përputhshmëri me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit të Aplikueshëm.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të: (I) deklarojë kërkesat e pranueshme; dhe të konstatojë që: (II) në rastin KO159/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/17] i 12 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 5133] i 9 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (III)…”

“…në rastin KO160/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/10] i 8 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 6077] i 7 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla shpallen të pavlefshme”, thuhej ndër të tjera.

Dy shkeljet e radhës për ta përmbushur pesëshen, u bënë publike në fillim të gushtit, me vetëm dy ditë dallim, përkatësisht me 1 dhe 3 gusht.

Fillimisht u konstatua se shkarkimi i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës më 8 korrik 2021, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe bëri me dije se vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur unanimisht që të deklaronte kërkesën nga deputetët e opozitës për Bordin e RTK-së të pranueshme dhe të refuzonte kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e vendimit të kontestuar.

“Me pesë vota për dhe dy vota kundër, gjykata ka vendosur të konstatojë që vendimi i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës së Kosovës”, potencohej ndër të tjera aty.

Ndërsa me 3 gusht, Gjykata Kushtetuese njoftoi se disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë ishin anti-kushtetues, kjo pasi që dy partitë opozitare; PDK-ja e LDK-ja e kishin dërguar në Kushtetuese.

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës kishte vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës.

“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

Ndryshe, në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar edhe ligje të tjera të hartuara nga Qeveria e Kosovës – Ligji për Byronë, Ligji për Pagën Minimale dhe Ligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazë – që mund të shpallen anti-kushtetuese dhe lista e shkeljeve kushtetuese mund të ndryshojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore