Shkelën të drejtat e autorit, SPAK çon për gjykim pronarë të televizioneve dhe zyrtarë të AMA-s
Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) ka mbyllur hetimet për korrupsionin e favorizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) për kompanitë e TV kabllore të cilat ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak duke shkelur të drejtat e autorit.
Sipas njoftimit të SPAK, pronarët e kompanive TV Kabllorë, nëpërmjet pagesave që u bënin Zyrtarëve te Autoritetit të Mediave Audiovizive, apo pagesave që u bënin ndërmjetësve të cilët premtonin ndërhyrjen tek zyrtarët e AMA-s, vijonin veprimtarinë e transmetimit të kanaleve, pa lidhur kontratat përkatëse me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe pa autorizim nga institucioni.
Në vazhdim të hetimeve SPAK ka çuar për gjykim të pandehurit, Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi e Shkëlqim Sula, pronarë e punonjës të televizioneve kabllore.
Për gjykim janë dërguar edhe ish-zyrtarët e AMA-s, Izmir Hajdari, Suela Musta dhe Andrea Nathanaili.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com