Kosova

Shkatërrohet një plantacion me 20 mijë bimë narkotike, thotë Policia e Kosovës


Nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës, këtë të shtunë, ka bërë të ditur se ka shkatërruar një plantacion me 20 mijë bimë narkotike të llojit kanabis, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Policia e Kosovës, siç thuhet në komunikatën për media, në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, ka arritur identifikimin e plantacionit në Koshare, në brendësi të territorit të Kosovës.

Plantacioni, sipas Policisë ishte në një sipërfaqe rreth një hektar.

“Në ora 03:00 njësitet policore kanë qenë në vendin ku janë mbjellë bimët narkotike (kanabis). Në brezin kufitarë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në Koshare, në afërsi të Piramidës C4, në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës, në një sipërfaqe rreth një hektar, janë gjetur të mbjella rreth 20 mijë bimë, dyshohet të jenë kanabis”, thuhet në njoftim.

Për rastin janë njoftuar njësitet relevante të Policisë dhe Prokuroria e Gjakovës.

“Lidhur me rastin, falënderojmë Policinë e Shtetit për bashkëpunim dhe koordinim në trajtimin e këtij rasti”, vijon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore