Shqipëria

Shkatërrohet grupi kriminal shqiptaro-italian, 24 persona në pranga


Në Itali është zhvilluar një operacion i madh antidrogë që ka shkatërruar një grup kriminal shqiptaro-italian.

Në pranga kanë rënë 24 persona, 15 janë burgosur dhe nëntë janë lënë me arrest shtëpie.

Referuar mediave italiane, grupi kishte lidhje me organizatën mafioze “Ndrangheta” dhe se zhvillonte aktivitetin e tij në provincën e Reggio-s.

Ky grup kriminal, i cili përdorte celularë të koduar ose kabina telefonike publike për të komunikuar, lidhej me organizata të ndryshme që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil.

Për ta, policia e atjeshme ka zbuluar se kishin mundur të sillnin ngarkesa të mëdha kokaine nga Brazili, të magazinuara në Zvicër, për t’u transportuar më pas në Lombardi dhe për t’ua shitur blerësve të identifikuar.

Ndër këta të fundit  ishte edhe një subjekt shqiptar me precedentë të mëparshëm kriminal.

Një anëtar i organizatës braziliane furnizuese, pas problemeve të lidhura me pagesën e lëndës narkotike, kishte shkuar edhe në Kalabri për të takuar kreun e shoqatës kriminale, për të gjetur një zgjidhje.

Sipas hetimit, grupi kriminal prodhonte vetë sasi të mëdha kanabis indica, duke u kujdesur për proceset e mëpasshme të përpunimit.

Gjithashtu gjatë aktivitetit ka rezultuar se të dyshuarit, për të diversifikuar dhe intensifikuar lulëzimin e aktivitetit të paligjshëm, kanë kryer kultivimin e marijuanës në një zonë rurale në të cilën ndodheshin.

Ata po ashtu kanë menaxhuar një aktivitet të konsoliduar të klasifikimit të drogës nëpërmjet përdorimit të korrierëve specialë, të gatshëm për të vepruar midis territoreve kalabreze dhe siciliane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore