Shqipëria

Shkatërrohen në Ibiza dy organizata kriminale nga Italia dhe Shqipëria


Garda Civile spanjolle, në bashkëpunim me karabinierët dhe agjentë të forcave të tjera të sigurisë italiane dhe shqiptare të specializuar në luftën kundër mafias, kanë shkatërruar dy grupe kriminale të dedikuara për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave që vepronin në Ibiza.

Lajmi u bë i ditur nga portali vendas “Cadena Ser”.

Në total janë bërë 32 denoncime ndaj shtetasve italianë, shqiptarë dhe hungarezë dhe janë kryer 42 kontrolle, 38 prej tyre në Ibiza.

Këto, përveç gjetjes së vendstrehimeve nëpër pyjet e ishullit spanjoll ku ishte fshehur droga.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 18 kilogramë metamfetaminë, me të cilën mund të prodhoheshin 870 mijë pilula ekstazi, 4,5 kg kokainë, një plantacion kanabisi me 600 bimë marihuanë dhe sasi të konsiderueshme lëndësh të tjera.

Gjithashtu janë konfiskuar dy armë zjarri, 330 mijë euro para të gatshme dhe 23 automjete të tipit të lartë.

Autoritetet spanjolle kanë bllokuar 116 llogari rrjedhëse dhe 15 prona të përdorura për pastrim parash.

Ndër objektet e sekuestruara përfshihen ora luksoze, bizhuteri, dokumente që lidhen me llogari bankare jashtë vendit, dokumente false identiteti, frenues frekuencash, një mori celularësh, USB, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Objektivi i këtij operacioni kanë qenë dy organizata kriminale, njëra me origjinë italiane dhe tjetra me origjinë shqiptare, me bazë në ishull dhe me degë në zona të tjera të Spanjës dhe jashtë saj.

Autoritetet konsiderojnë se është parandaluar futja në tregun e zi e më shumë se 94 mijë dozave MDMA dhe kokaine, me vlerë 4.1 milionë euro dhe janë imobilizuar pasuri të paluajtshme me vlerë 22 milionë euro.

Në operacionin “Dragon Ball”, të kryer javën e kaluar, kanë marrë pjesë 400 agjentë nga Benemérita e Ibiza, Málaga, Barcelona dhe Tenerife, me njësi sulmi, pilotë drone dhe pajisje të sofistikuara për gjetjen e depove të drogës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore