Shqipëria

Shkarkohet nga detyra gjyqtari i 21-janarit, Besnik Hoxha


Gjyqtari i 21 janarit, Besnik Hoxha është përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Kolegji i Posaçëm të Apelimit vendosi sot që gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha të përjashtohet nga drejtësia.

Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit. Sipas KPA, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Hoxha kryesoi më 8 shkurt 2013 trupën gjykuese shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit.

Ndërkohë 21 janari po hetohet nga SPAK si krim i pazbardhur shtetëror ashtu siç Strasburgu e vlerësoi, por Gjykata e Tiranës në 2013-ën e shpalli Ndrean dhe Prendin të pafajshëm, të cilët më pas u dënuan në Apel.

Gjykata e Strasburgut urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve, Gjykata e Lartë e lexoi qartë këtë vendim dhe detyroi SPAK të nisë hetimet për 21 janarin për të verifikuar rolin e drejtuesve të lartë shtetëror.

E gjitha vjen pas nisjes së hetimeve nga SPAK.

SPAK ka bërë me dije se nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut, ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:

-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

-“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

-“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

“Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa”, vijon njoftimi i SPAK.

Referuar njoftimit, regjistrimi i procedimit është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posaçme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin SPAK është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika.

Po ashtu është bërë edhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.

Sakaq, bëhet me dije se Drejtuesi i SPAK ka vendosur ndër të tjera:

-Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

-Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

-Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore