Shqipëria

Shkarkimi i Metës, Balla: E kemi detyrim të ruajmë heshtjen institucionale 30-ditore


Fill pas tërheqjes së Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendimin ndaj shkarkimit ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla, tha se të gjitha palët e kanë detyrim të ruajnë heshtjen institucionale 30-ditore.

“Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky moment, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Balla për mediat.

Ai iu bëri thirrje si Metës, si partive politike, apo kujtdo tjetër që duhet, “të respektojmë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”.

“Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do t’i bënte mirë procesit”, e përmbylli ai.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj dite u tërhoq për të marrë vendimin ndaj Metës.

Ajo njoftoi se brenda 30 ditëve do të zbardhet vendimi i arsyetuar.

Kjo ishte seanca e tretë e mbajtur për shkarkimin e presidentit Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore