Lajme

Shkaqet e kancerit të tiroides, në studim hipoteza e ndotjes kimike


Çdo vit, rreth 13 mijë e 200 italianë sëmuren nga kanceri i tiroides. Çka përbën tre deri në katër për qind të diagnozave të reja me kancer në vend.

Më të prekurat janë gratë nën 50 vjeç ndër të cilat ky tumor është më i shpeshti pas atij të gjirit.

“Është një episod jo i rrallë”, ka thënë Luciano Pezzullo, kreu i kirurgjisë së kancerit të tiroides në Institutin Kombëtar të Kancerit Pascale të Napoli-t.

Disa studime kanë treguar se shumica e nyjeve beninje dhe asimptomatike të mbajtura nën kontroll për pesë vjet rezultojnë të jenë të padëmshme në fund.

Edhe kur bëhet fjalë për kancerin, kanceri i tiroides në përgjithësi ka sjellje “të mirë”. Këto nyje nuk rriten, nuk japin metastaza lokale dhe nuk mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit.

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Salerno-s kanë kërkuar përgjigje për shkaqet e mundshme prej disa vitesh.

“Pavarësisht mungesës së agresivitetit, kanceri i tiroides po alarmon komunitetin shkencor ndërkombëtar për shkak të rritjes progresive të rasteve të reja të diagnostikuara”, ka thënë Vincenzo Marotta , endokrinolog në spitalin universitar të Salerno-s.

Në mbarë botën, numrat po rriten me rreth katër për qind në vit dhe janë trefishuar që nga vitet 1970.

Rritja e rasteve ka të bëjë edhe me tumoret në stade të avancuara dhe është e pranishme në vendet në zhvillim pa mjete teknologjike më të avancuara.

Deri më sot, i vetmi faktor rreziku i njohur për kancerin e tiroides është rrezatimi jonizues.

“Por në kontekstin aktual, këta janë përgjegjës për një pjesë minimale të tumoreve që ne vëzhgojmë, për të cilat shkaku mbetet i panjohur për shumicën e pacientëve. Dhe është një paradoks duke qenë se, falë studimeve gjenetike molekulare, ne njohim mutacionet gjenetike përgjegjëse në më shumë se 90 për qind të rasteve”, ka thënë Marotta.

Ka disa aktivitete që përcaktojnë akumulimin në mjedis të një sasie të madhe dhe të larmishme agjentësh kimikë, të tillë si modifikimi i përbërjes natyrore biokimike të mjedisit.

Në veçanti, disa substanca kimike përshkojnë ujin, tokën dhe ajrin, duke hyrë përgjithmonë në ndërveprimin dinamik midis këtyre ndarjeve.

Dhe njeriu mund të ekspozohet ndaj ndotësve në mënyra të shumta: me gëlltitje, me kontakt, me thithje.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë provë të një lidhjeje shkakësore midis ndotësve kimikë dhe kancerit të tiroides.

Studimet e pakta të disponueshme kanë vlerësuar nivelin e kontaminimit te njerëzit që tashmë vuajnë nga kanceri i tiroides,  lidhja shkak-pasojë duhet ende të vërtetohet, duke demonstruar se subjektet e ekspozuar kanë një rrezik më të madh për të zhvilluar tumorin.

“Studimet epidemiologjike mbi grupe të veçanta punëtorësh kanë treguar një tendencë më të madhe për të zhvilluar kancer të tiroides për disa aktivitete profesionale të karakterizuara nga kontakti më i madh me agjentët biokimikë dhe, për rrjedhojë, me një rrezik më të madh kontaminimi”, ka sqaruar Marotta.

Të tilla si prodhimi i këpucëve, ruajtja e ushqimit, ndërtimi, përpunimi i letrës dhe drurit, bujqësia, kimikatet, farmacia.

“Kanceri i tiroides është një patologji e heshtur dhe jo agresive në shumicën e rasteve”, ka dalluar Pezzullo.

Por fillimi i vështirësisë në gëlltitje, ndryshimet në tonin e zërit dhe ënjtja e qafës janë shenja të një kanceri të mundshëm të tiroides, zakonisht në një fazë të avancuar.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore