Lajme

Shiten aksionet ruse për shkak të rreziqeve në rritje


Tregu i aksioneve të Rusisë ka rënë edhe më shumë, pasi investitorët nxituan të braktisnin asetet ruse disa orë pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në dy rajone separatiste në Ukrainë.

E përditshmja “Financial Times” tregon se indeksi Moex ka rënë më shumë se katër për qind, duke e çuar humbjen e kësaj jave në më shumë se 14 për qind.

Humbje që vjen pasi Moska urdhëroi forcat në rajonet Donetsk dhe Luhansk të kontrolluara nga rebelët në kufirin Donbas të Ukrainës, duke shkaktuar dënime ndërkombëtare.

Që nga tetori, standardi kryesor i aksioneve të Moskës ka rënë me një të tretën pasi investitorët iu përgjigjën krizës në përshkallëzim dhe rritjes së mundësisë së një sulmi rus në Ukrainë.

Ky i fundit mund të shkaktojë sanksione të forta perëndimore si përgjigje.

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, e ka denoncuar lëvizjen e Rusisë si një “sulm të qartë” ndaj sovranitetit të Ukrainës.

Kurse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se përparimi i Rusisë përbën një “shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”.

“Tregjet po zgjohen me realitetin se ky është kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka dalluar Tim Ash, strateg i tregjeve në zhvillim.

Sipas “Financial Times”, rubla ka rënë në nivelin më të ulët që nga nëntori 2020 përpara se të rikuperohej për t’u tregtuar rreth një për qind më lart kundrejt dollarit amerikan.

Përshkallëzimi i tensioneve Ukrainë-Rusi ka bërë që çmimet e naftës të rriten në nivelin më të lartë në shtatë vite. Ngjashëm edhe me çmimet e gazit natyror që janë rritur.

“Nafta mund të rritet me 10 ose 20 dollarë të tjera, por gazi natyror, për shkak të varësisë së Evropës prej tij, mund të rritet edhe më shumë”, ka thënë krye-ekonomisti Charlie Robertson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore