Libra

SHIK-u si “zyrë shtypi” e Ilir Metës


Rrëfimi i tij nuk është gjyq. Nuk është për t’i bërë të tjerët të ndjehen keq.

Është për të gjetur qetësinë. Atë qetësi të një gazetari që mban përgjegjësi, paçka se nuk është “fajtor”.

Për vetë atë, gazetarin Mero Baze, kjo u arrit me rrëfimin e disa detajeve të historisë së demokracisë shqiptare, të cilat nuk do të mund të shikoheshin e dëgjoheshin ndokund tjetër.

Kjo histori, për të cilën ai i ka dhënë jetë librit “Viti ‘97”, nis me goditjen vdekjeprurëse të zgjedhjeve më 26 Maj 1996.

Asokohe, në Shqipëri “u destabilizua procesi I parë zgjedhor, deri më 29 Qershor 1997, kur shqiptarët u desh të bënin një palë zgjedhje të tjera, po aq të këqija, për të imituar ndërrimin e pushtetit formalisht me zgjedhje”.

Pa lënë mënjanë lidhjet e vjetra të Presidentit Sali Berisha me Nënkryetarin e Partisë Socialiste Ilir Meta dhe angazhimin e strukturave të Shërbimit Informativ Kombëtar drejtuar nga Bashkim Gazidede në krah të Ilir Metës për të marr kontrollin mbi Partinë Socialiste.

Berisha, paralelisht me garat që zhvilloheshin në rrethe, kishte hapur problemin e tryezës për Komisionin e ri të Zgjedhjeve Lokale.

“Tema e dialogut mes pozitës dhe opozitës ishte tani një temë që iu ngatërrohej nëpër këmbë socialistëve dhe po përdorej për diferencime pro Nanos dhe kundër Nanos nëpër rrethe”, shkruan Baze.

Shtypi afër Berishës siguronte raporte të plota për të deleguarin Ilir Meta dhe atje ku nuk kishte njerëz të grupit anti Nano, ndërhynte SHIK-u.

Kështu, vijon ai, te gazeta “Albania” nuk mungonin kurrë raportet.

Por ja që ndodhi një e papritur. Një incident me konferencën e Pogradecit. “Nga pakujdesia, materiali u botua i pakorrektuar në gazetë dhe u bë skandal”.

Kjo praktike nuk u ndal deri në përfundim të të gjitha konferencave.

Nuk mbeti pa u përmendur edhe emri i Bazes. Një socialist në Devoll ishte ankuar për intervistën e tij te “Zëri i Amerikës”.

“Ata të redaksisë së gazetës “Albania” më dhanë materialin e zbardhur ta lexoja”, tregon ai.

Pasi i lexoi faqet e daktilografuara nga oficeri i SHIK-ut, kuptoi se ajo parti ishte tronditur.

“Në atë verë të vitit 1996, i vetmi oaz i jetës politike, u bë viktima më e madhe e politikës së atij viti, godina e Partisë Socialiste. Konferenca e Devollit ishte shumë domethënëse për ndarjen e Partisë”, shkruan Baze.

Skandali i vërtetë, për të, ishte ajo se si SHIK përgjonte dhe përpunonte informacionin për këto konferenca. Gazeta “Albania” botonte me përpikëri debatet brenda konferencave, edhe pse ishin me dyer të mbyllura.

Mero Baze zbulon se një njësi speciale e SHIK-ut i përgjonte ato, i zbardhte urgjent dhe një djalë i ndrojtur i binte çdo pasdite në gazetën “Albana” në një zarf të verdhë që nuk i adresohej askujt.

“Hapej zarfi dhe i jepej daktilografes”.

Duke qenë një gazetë e vlerësuar si zëri i Berishës, bënte më shumë rolin e diversionit për grupin e Nanos dhe mbështeste pa rezerva grupin e Metës.

Një sërë shkrimesh që porositeshin nga Meta gjenin vend në faqet e gazetës duke “çoroditur” elektoratin e majtë.

“Opozita ishte e ndarë, e copëtuar, e dobët dhe e pariparueshme. Nga ana tjetër, Berisha po e përjetonte këtë si një triumf real, që në fakt nuk ishte i tillë”, dallon autori.

Madje, një ditë para Kongresit, disa aleatë të Berishës hodhën në shtyp deklarata që linin të kuptohej se kongresin e socialistëve e drejtonte Berisha.

“Dukej se në këto deklarata kishte gisht vet Berisha”.

Ilir Meta do të fliste në orën 18.00. Dhe diskutimi i tij do të vinte pas një humbjeje në balancë në favor të Nanos.

“Foli gjatë dhe thuajse pa letër. Një diskutim i mirë, që kishte brenda dhe kujdesin për të mos i shpallur luftë të hapur, por dhe aftësinë për t’u distancuar nga ai. Ishte nga fjalimet e mira të tij. Kishte një farë vendosmërie në të folur dhe mbushej herë pas here nga thirrjet e mbështetësve të tij”, tregon Baze.

Por fjalimi i tij nuk u regjistrua askund, përveç transmetimit direkt në RTSH, që transmetonte gjithë fjalimet kundër Fatos Nanos.

Zarfi i SHIK-ut me zbardhjen e tij kishte arritur te gazeta e Partisë Socialiste, e cila e botoi fjalimin e pashkruar të Metës.

“Por kjo nuk i binte në sy të askujt”.

Në Kongres, shton Baze, ishte problem më vete telegrami i Gramoz Ruçit nga Greqia, ku ai kishte shkuar.

“Një letër e kujdesshme dhe shumë pro Fatos Nanos”.

Apelonte për mbështetje të fortë dhe direkte për të, ndërkohë që nuk ishte shumë e ashpër me ata që e sulmonin.

“Letra e Ruçit kishte një dimension tolerance. Askush nuk besonte se ai e kishte shkruar vetë, por dhe ai bënte shumë kujdes që të mos merrej vesh kurrgjë nga kjo histori”, veçon autori.

Më vonë, kur u shpallën rezultatet, situata dukej e balancuar me një epërsi të lehtë të Nanos.

Kurse akuzat për manipulime ishin të dobëta. “Nënkryetarët duket se u mundën në garën e tyre kundër Fatos Nanos”.

“Tabuja e vetme e tyre, kandidimi përballë Nanos, nuk arriti të thyhej dhe ai konkurroi i vetëm, duke marrë rreth 145 vota kundër”.

Nëse i gjithë rrëfimi i Mero Bazes është i saktë dhe nëse është përshkruar me detaje një marrëdhënie, është më se e qartë të thuhet se i kujt është Ilir Meta.

Nga historia e mëvonshme nuk kuptohet. Qëndron pezull si dilemë: a është Ilir Meta i SHIK-ut apo SHIK-u i Ilir Metës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore