Shifra të njëjta, realitete të ndryshme – Si u “zhvillua” ekonomia gjatë vikendit

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
10.10.2022 7:30
Loading Icons...

Përderisa ekspertët, ashtu edhe qytetarët e Kosovës, vlerësojnë se gjendja ekonomike në vend është e rënduar, fillimisht si pasojë e pandemisë COVID-19, pastaj edhe e krizës nga lufta në Ukrainë, Albin Kurti e sheh një realitet tjetër.

Kryeministri në vikend deklaroi se për një vit e gjysmë të qeverisjes së tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa, sipas tij, investimet e huaja direkte kanë kapur shifrën e mbi 400 milionë eurove.

Për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, “progresi ekonomik” i Kurtit është thjeshtë “mashtrim ordiner”.

“Si hapen vendet e punës pa investime”, u çudit Shatri teksa shpjegonte për Albanian Post dhe shtoi se “edhe ato vende të punës që kanë qenë të hapura, tash janë mbyllur”.

Krejt kjo si pasojë e krizës ekonomike me të cilën nuk po përballet vetëm Kosova, por e gjithë bota.

Shatri, thekson se Qeveria e ka shfrytëzuar një të dhënë statistikore të vitit të kaluar, e ku thuhet se ka më pak punëkërkues se dy vjet më parë.

“Ata kanë shkuar jashtë. Ky është një mashtrim që ia bëjnë popullit. Po është e vërtet që ma pak se ata njerëz janë shkuar jashtë. Edhe ato vende që i ka pas të lejuar me buxhet nuk i ka shfrytzuar, mbi 5 mijë vende janë të lira”.

Në një linjë me Shatrin ishte edhe Hykmete Bajrami, e cila udhëhoqi me Ministrinë e Financave gjatë viteve 2020/2021.

Ajo tha se nuk është e vërtetë që është rritur punësimi për 6.9 për qind në fund të vitit 2021, siç aludon Kurti.

“Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në faqe 78 thotë: 62,417 veta janë angazhuar nga KQZ në procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 14 shkurt 2021 dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajt tetor dhe nëntor 2021”, potencoi ajo për AP.

Nga ana tjetër, si mund të mos reagonin partitë opozitare ndaj këtyre “shifrave në rritje” që shpalosi Kurti në një postim në Facebook.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, vlerësoi se kryeministri, duket se ka filluar “të vuajë nga halucinacionet, sepse po sheh çka nuk po sheh asnjë qytetar”.

Qytetari i Kosovës po sheh vetëm varfërim të shportës, për shkak të inflacionit të lartë dhe Deliu paralajmëroi se qytetari shpejt do të shoh më shumë terr sesa dritë nga reduktimet e paralajmëruara.

“Përsëritja 100 herë e gënjeshtrës s’e mbush shportën, as s’i ndez dritat”, ka ironizuar ajo.

Më i ashpër ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili me profesion është ekonomist.

Ai deklaroi se kryeministri i Kosovës po bënë propagandë me shifrat që publikoi të shtunën mbrëma.

Ilustrim

“Nuk e kupton ekonominë. Por e kupton propagandën. Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën”.

Abdixhiku konstatoi se në dy vitet qeverisjes së Kurtit, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend.

“Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend”.

Kreu i LDK-së thekson se produktet bazike, rryma e derivatet janë dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë, ndërkaq Kurti vazhdon të flas për “progres ekonomik”.

Edhe Besnik Tahirit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i erdhi radha ta kritikonte Kurtin.

Ai tha se ekonomia është me trende negative në mungesë të investimeve dhe konsumit, por Kurti përtej kësaj ka vendos të shoh tjetër realitet.

“Raporti i Bankës Botërore ‘Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje’, paraqet indikacione tejet negative në ngadalësimin e Bruto Prodhimit Vendor (GDP), në 3.1% në vitin 2022, që do të pasohet me ngadalësimin e investimeve dhe konsumit privat”.

Në kohën kur Kosova përballet me inflacion, kryeministri i Kosovës “i ka palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të Qeverisë” dhe luan me numra, ndonëse jo për t’ia bërë më të lehtë qytetarëve.

Pakoja për përballje me inflacionin

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, gjatë muajit shtator pati prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, kishte thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, kishte shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Inflacioni në Kosovë

Inflacioni për muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind në raport me muajin korrik të vitit të kaluar.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Agjencioni i Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.

Kjo rritje e çmimeve është kryesisht te shërbimet për transport 9.4 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 7.4 për qind.