Shqipëria

Shifra rekord për numrin e fluturimeve dhe të pasagjerëve, tregon INSTAT


Në tre muajt e parë të këtij viti transporti i pasagjerëve përmes rrugës ajrore ka shënuar rritje rekord.

Kjo të paktën sipas të dhënave të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Kështu INSTAT thotë se numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në tremujorin e parë shënon 1 milion e 909 mijë e 757 nga 1 milion e 166 mijë pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 63,8 %.

Në transportin ajror operojnë 19 shoqëri ajrore, nga këto 17 janë shoqëri të huaja dhe dy janë shoqëri shqiptare.

Gjithashtu sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2024, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 55 mijë e 67 avionë.

Ndërkaq, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është aeroporti me fluksin më të lartë në rajon, me mbi 2.8 milionë pasagjerë vetëm gjatë 4 muajve të parë të 2024.

Kjo edhe falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.

Ai mirëpriti 40 % më shumë pasagjerë, ndërsa këtë vit, numri i pasagjerëve pritet të shkojë 8.4 milionë.

Nga ana tjetër, në tre muajit e parë të këtij viti ka pasur më pak mallra që janë transportuar në rrugë ajrore.

Sipas raportit, volumi i mallrave të tregtuara në rrugë ajrore u ul me 9.1% në tre muajit e parë të vitit në raport me vjet.

Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 499,5 ton, nga të cilat 77,0 % janë mallra të hyrë dhe 23,0 % janë mallra të dalë.

Krahasuar me tremujorin e parë 2023, volumi i mallrave paraqitet me rritje 11,1 %.

Në transportin ajror, mallrat e transportuara me postë zënë 11,4 % të volumit gjithsej të mallrave të transportuar me ajër.

Krahasuar me tremujorin e parë 2023, volumi i mallrave të transportuara me postë paraqitet me ulje 19,9 %.

Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e pare 2024 është 386 ton.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky tregues është ulur me 9,1 %.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore