Lajme

Shfrytëzon parkingun e ministrisë për biznes, Sveçla kërkon hetim për zyrtarin e MPB-së


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, njoftoi se ka kërkuar hetim ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, Riza Alshiqi, i cili po e shfrytëzon parkingun e ministrisë për biznesesin e tij “Rent a Car”.

Sveçla shkroi të dielën në “Facebook” se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu, ndërsa shtoi se edhe Komisioni Disiplinor i MPB-së duhet të angazhohet për t’i identifikuar shkeljet.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje”.

“Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, tha ministri Sveçla, teksa falenderoi dhe vlerësoi punën e mediave në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore.

“Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë”, shtoi ai.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” publikoi një hulumtim të shtunën ku tregonte për zyrtarin e lartë të MPB-së për monitorimin e transportit, që krahas punës në ministri, si punë sekondare bën biznes me dhënie të veturave me qira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore