Sport

Shfaqet rivali i parë për postin e Perez-it te Real-i


Real Madrid-i do të mbajë zgjedhjet për president gjatë vitit 2021. Florentino Perez-i ka qenë kandidat i suksesshëm në zgjedhjet e kaluara, në 2009, 2013 dhe 2017.

Në zgjedhjet e 2021, Perez-in pritet që ta rivalizojë Enrique Riquelme. Riquelme është një biznesmen 32-vjeçar i lindur në Cox të Valencias.

Kushtet bazike për të hedhur kandidaturën si president te Real-i janë: të kesh mbi 20 vite si anëtar i klubit dhe të garantosh 15% të buxhetit të klubit, pra gati 92.5 milionë euro.

Kushte të cilat për Riquelme-n janë lehtësisht të plotësueshme. Ai është pronar i Cox Energy, një kompani që operon në sektorin e energjisë së rinovueshme në Amerikën Latine. Por, gjithashtu ai ka mbi 20 vite si anëtar i klubit madrilen.

Sipas deklaratave që Riquelme ka dhënë për El Confidencial, kompania e tij vlerësohet rreth 300 milionë euro.

“Tani për tani klubi duhet të marrë një drejtim tjetër dhe të profesionalizojnë plotësisht menaxhimin, duke u bërë një klub me të vërtetë global, ose do të ketë probleme”, tha Riquelme për El Confidencial.

“Të jesh global është më shumë sesa të bësh një turne në SHBA”.

“Unë shof mundësinë e zbatimit të asaj që kam mësuar dhe menaxhimin e një bordi super profesionistë, jo të përbërë nga miq, në mënyrë që ta çoj klubin në nivel tjetër”.

Riquelme e lavdëroi Perez-in dhe punën që ai kishte bërë në shekullin e 21, por beson se tani është koha për ndryshim.

“Santiago Bernabeu hodhi themelet e asaj që është Real Madrid-i dhe ai është, pa dyshim, presidenti më i mirë në histori”, tha Riquelme.

“Pastaj ne kemi pasur presidentë të tjerë të mirë dhe nga të gjithë, Florentino Perez-i ka qenë katalizatori që ka bërë shumë të mira për klubin”.

“Ai e konsolidoi Real Madrid 2.0, por institucioni ka nevojë për një ndryshim”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore