Lajme

Shërbimi Sekret Amerikan merr rezidencë me qira për mbi 30 mijë dollarë për të mbrojtur Hunter Biden


Hunter Biden

Shërbimi Sekret Amerikan po paguan më shumë se 30 mijë dollarë në muaj për një rezidencë në Malibu, në mënyrë që të mbrojë Hunter Biden.

Për të strehuar agjentët që mbrojnë djalin e Joe Biden, agjencia ka marrë me qira një rezidencë e cila përmban gjashtë dhoma gjumi, një palestër, një hapësirë të integruar për barbekju, pishinë dhe një SPA.

Rezidenca është afër rezidencës së marrë me qira të Hunter Biden, për të cilën ai thuhet se po paguan rreth 20 mijë dollarë në muaj.

Shërbimi Sekret zgjodhi rezidencën në fjalë në mënyrë që të mund të ishte sa më afër Bidenit.

Agjencia tha: “Për shkak të nevojës për të ruajtur sigurinë operacionale, Shërbimi Sekret i SHBA nuk komenton mbi mjetet, metodat ose burimet e përdorura për të kryer operacionet tona mbrojtëse”.

Gjatë presidencës së Donald Trump, Shërbimi Sekret njoftoi se po i mbaronin paratë për të mbrojtur familjen e presidentit. Në vitin e parë të administratës Trump, agjencia kërkoi 60 milionë dollarë shtesë për të përmbushur detyra të tilla.

Shërbimi Sekret është i detyruar me ligj të paguajë çdo gjë që kërkohet për të marrë me qira dhoma pranë klientëve të saj.

Presidentët vazhdojnë të marrin mbrojtje pas largimit nga detyra. Vitin e kaluar, Trump i ngarkoi Shërbimit Sekret gati 10 mijë e 200 dollarë për përdorimin e dhomave të miqve në klubin e tij të golfit në New Jersey.

Në vitin 2021, dolën raporte se Shërbimi Sekret duhej të merrte me qira një studio bodrumi në Uashington DC me qëllimin e vetëm për të lejuar agjentët të shkonin në tualet, pasi Ivanka Trump dhe Jared Kushner refuzuan të linin detajet e tyre të sigurisë të përdornin banjat në shtëpinë e tyre. Qiraja i kushton taksapaguesve rreth 3 mijë dollarë në muaj.

Gjatë administratës së Barack Obamës, një udhëtim familjar në Martha’s Vineyard në vitin 2016 i kushtoi agjencisë 2.7 milionë dollarë.

Shërbimi Sekret shpenzoi 2.5 milionë dollarë për hotele dhe 90 mijë dollarë për makina me qira.

Kur familja Obama vizitoi Honolulu-n në fund të vitit 2016, agjencia shpenzoi 1.9 milionë dollarë, përfshirë 1.8 milionë dollarë për hotele.

Udhëtimet e Michelle Obama në Aspen, Kolorado, nga viti 2014 në 2016 i kushtuan agjencisë më shumë se 319 mijë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore