Sport

Shënoi 66 gola në sezon, Valentina Troka fiton “Këpucën e Artë” të vajzave për vitin 2023


Këpuca e Artë 2023 për vajza i ka shkuar sulmueses së Aplonisë dhe ekipit Kombëtar A, Valentina Troka me 66 gola të shënuar sezonin e kaluar.

Ishte anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila i dorëzoi çmimin e veçantë Trokës.

“Ndjehem shumë e lumtur me këtë titull kaq të veçantë, që donte shumë mund dhe sakrifica. Falënderoj ekipin tim dhe vajzat që bënë maksimumin që unë të fitoj këtë çmim. Gjithashtu falënderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit që u jep jetë ëndrrave tona me këto çmime”, ka thënë ajo.

Sot po mbahet mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2023” ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.

FSHF ka përgatitur një mbrëmje festive të pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani2024”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore