Shefqet Kabashi nis dëshminë në Speciale: Keni dëmtuar vendin tim – s’mund të bashkëpunojë me ju
Dëshmitari në Speciale: Shefqet Kabashi.
Altina Marmullaku
14.11.2023 16:11Ish udhëheqësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Kabashi, ka nisur dëshminë përmes video-lidhjes në Gjykatën Speciale.
Ai po dëshmon në anglisht, pasi sipas tij “nuk dëshiron që të keqkuptohet nga përkthyesit shkaku i dialektit të Kosovës”.
Kabashi, pasi që filloi pyetjet prokurori ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e Speciales, duke thënë se kjo gjykatë i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës.
“Unë kam qenë i sjellshëm me ju, sepse ju e dini që nuk ka qenë gatishmëria ime për të ardhur, megjithatë jeni përpjekur që të gjeni të gjitha mundësitë për të më sjellur këtu dhe për këtë arsye nuk mund të bashkëpunoj me ju, me prokurorët”.
“Ju dëmtoni kaq shumë njerëz, përfshirë këtu edhe dëshmitarët dhe të gjithë vendet tona”, ka thënë Kabashi.
Nga Prokurori, është kërkuar që ai të përgjigjet në pyetjet që po iu bëhen atij.
“Dëshmitar, do e vlerësonim shumë nëse do të përgjigjeni në pyetjet që po iu bëjmë, do ju jap mundësinë që të shpjegoni se çfarë ka ndodhur në proceset mëparshme kur të jetë momenti i përshtatshëm”, tha prokurori.
Dëshmia e Kabashit pritet të zgjasë dy ditë.
Ai kishte dëshmuar edhe në gjykimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë.
Pjesë nga intervistimi i Shefqet Kabashit:
Prokurori: Zotëri Kabashi, në çështjen Limaj ju keni dhënë dëshmi me masa mbrojtëse, identiteti juaj nuk është bërë i ditur për publikun. Keni shpjeguar në atë kohë për gjykatësit që ishte shumë e vështirë për të dhënë dëshmi dhe se ju ishit vetëm tradhtar. Keni sqaruar, po ashtu se kur keni dhënë dëshmi familja juaj është kërcënuar.
Pse keni dhënë dëshmi në çështjen Limaj, cila ka qenë arsyeja e dëshmisë suaj?
Shefqet Kabashi: Sepse në vitin 1998, kam marrë urdhra nga komandanti i mëparshëm për të vrarë njerëz dhe nuk i kam vrarë këta njerëz dhe ato nuk ndaluan asnjëherë edhe pse unë isha në burg. E kam ditur që jeta ime është në rrezik, por me mua ka qenë e rëndësishme që të ndaloja, por unë nuk u dorëzova asnjëherë, sepse nuk dëshiroja të dorëzohem.
Sepse për ne nuk ishte e nevojshme që të bënim ato gjëra, në kuptimin që të vrisnim njëri-tjetrin, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk mund i bëjmë gjërat që i kemi bërë në luftë dhe pas luftës.
Pas çështjes së Limaj dhe Haradinaj, sepse ashtu siç shihej askush nuk mund t’i ndalohet krimet që kryheshin.
Prokurori: Kur dëshmuat në çështjen Haradinaj kishit masa mbrojtëse?
Shefqet Kabashi: Jo, nuk kisha.
Prokurori: Pra, masat mbrojtëse në çështjen Limaj i keni menduar si efikase?
Shefqet Kabashi: I kam konsideruar si të padobishme.
Prokurori: Dëshmitar, kemi vështirësi që të ju dëgjojmë.
Prokurori: Kur e takuat Eroll Berishën, pas luftës çfarë diskutuat?
Shefqet Kabashi: Diskutuam shumë gjëra, nuk e di se çfarë dëshironi të dini konkretisht ju.
Prokurori: A ka shkruar Eroll Berisha ndonjë gjë për përvojën e juaj në luftë, pasi dëshmuat se kishit marrë urdhër për të vrarë atë, a bëri ndonjë artikull ai për këtë?
Shefqet Kabashi: Po disa herë. Por, herën e fundit që e bëri këtë gjë ishte para se të vdiste në llogarinë e tij në ‘Facebook’, aty sqaroi se nuk isha vetëm unë edhe pas meje u përpoqën që ta vrasin.
Prokurori: A ju kujtohet ndonjë gjë tjetër çfarë tha në këtë postimin në ‘Facebook’?
Shefqet Kabashi: Tha që ishte e vërtetë ato çka tha Kabashi, në intervistën që isha. Për rastin e 98-ës, kur shkova në shtëpinë e tij unë e njihja Eroll Berishën, e njihja edhe familjen e tij, ishte një familje e mirë shqiptare.