Kosova

Shefja e UNMIK-ut takon Listën Serbe: Jam e shqetësuar me veprimet e njëanshme të Qeverisë


Ilustrim: Caroline Ziadeh

Pas zëvendës-komandantit të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, të shtunën një delegacion të Listës Serbe mu në krye me kryetarin e kësaj partie, Zllatan Elek, e ka takuar edhe udhëheqësja e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh.

Siç thuhet në njoftimin e këtij misioni në platformën sociale në, X, Ziadeh, gjatë takimit ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në Veri.

“Këto çështje të jashtëzakonshme duhet të diskutohen në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim brenda dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.

Këto veprime të njëanshme, sipas UNMIK-ut, ndikojnë në të drejtat socio-ekonomike të të gjitha komuniteteve të prekura.

“Këto veprime gjithashtu minojnë përpjekjet për të konsoliduar besimin midis komuniteteve të ndryshme dhe për të ruajtur sigurinë, stabilitetin dhe paqen”.

Ndërkohë në takimin që zëvendës-komandanti i KFOR-it, Federico Bernacca, pati me përfaqësuesit e Listës Serbe, siç u potencua në një komunikatë, janë ndarë pikëpamjet mbi zhvillimet e fundit të sigurisë duke përfshirë Veriun e Kosovës.

Gjenerali italian në takim, siç thuhet në komunikatë, ka dëgjuar edhe shqetësimet e shprehura nga Lista Serbe.

Pjesëtarë të Listës Serbe është raportuar se gjatë ditës së shtunës kanë zhvilluar një takim edhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë.

KFOR-i ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht.

Rritja e pranisë së KFOR-it mbi urën mbi lumin Ibër vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në Veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore