Tregjet

Shefja e shërbimeve financiare të BE-së i bën thirrje SHBA-ve për rregulla të reja për kriptot


Politikanëve amerikanë, shefja e shërbimeve financiare të Bashkimit Evropian u ka kërkuar që të hartojnë rregulla të reja gjithëpërfshirëse për të qeverisur industrinë e kriptove.

Kjo kërkesë e saj ka paralajmëruar se asetet digjitale mund të përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar nëse lihen të rriten të pakontrolluara.

Sipas komisioneres Mairead McGuinness, çdo rregullore e vendosur në industri do të duhet të jetë globale në mënyrë që të funksionojë.

“Kemi nevojë të shohim edhe lojtarë të tjerë”, ka thënë McGuinness, duke iu referuar vendeve që kanë filluar të ndjekin drejtimin e BE-së për rregullimin e kriptove.

“Mbase ndryshe, por me të njëjtin objektiv… duhet të shikojmë rregullimin global të kriptove”, ka shtuar ajo.

E gjitha ka ardhur prej diskutimeve gjatë një udhëtimi në Washington, DC, ku ajo u takua me politikanë në qendër të negociatave në Capitol Hill mbi mënyrën se si të rregullohet industria.

McGuinness është shprehur e inkurajuar nga ato takime dhe se besonte se politikanët amerikanë po “lëvizin në të njëjtin drejtim” si ata në BE.

Megjithatë ka shtuar se “ka shumë shqetësime në nivel evropian se çfarë do të ndodhte nëse kriptoja nuk do të rregullohej”.

Ndërkombëtarisht, BE-ja njihet se ka një nga regjimet më gjithëpërfshirëse rreth kriptomonedhave, në formën e një grupi të ri rregulloresh që kaloi fazën përfundimtare në bllok në fillim të këtij muaji.

Edhe presidenti amerikan Joe Biden ka folur për rëndësinë e rregullimit të industrisë së kriptove, por anëtarët e Kongresit janë të ndarë se si ta bëjnë këtë.

Komisioni i Letrave me Vlerë ka mbajtur një qëndrim agresiv ndaj shkëmbimeve të kriptove, por vetë monedhat i nënshtrohen ende shumë pak mbikëqyrjes.

Komentet e McGuinness i bëjnë jehonë atyre të bëra nga Bordi i Stabilitetit Financiar javën e kaluar, duke bërë thirrje për një kornizë globale për të udhëhequr vendet në përpjekjet e tyre për rregullimin e kriptove.

Anëtarët e Kongresit janë afër marrëveshjes për një draft që do ta vendoste industrinë nën kujdesin e Rezervës Federale dhe do të zbatonte një ndalim dy-vjeçar të monedhave të qëndrueshme algoritmike si terraUSD.

Megjithatë, ata nuk kanë rënë dakord se sa të rrepta duhet të jenë kontrollet e konsumatorëve për blerësit e monedhave të qëndrueshme, as se sa fuqi duhet të ketë Fed mbi industrinë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore