Auto

Shefi i Volkswagen: Kalimi tek automjetet elektrike mund të kushtojë 30 mijë vende pune


Kompania Volkswagen mund të humbasë 30 mijë vende pune nëse kalon shumë ngadalë në automjetet elektrike.

Kështu ka bërë me dije Herbert Diess, drejtori ekzekutiv, në një takim të bordit mbikëqyrës në muajin shtator, tregon agjencia e lajmeve, “Reuters”.

Referuar burimeve mbi çështjen, mendohet se konkurrenca nga hyrësit e rinj në tregun gjerman, si Tesla, e ka shtyrë kompaninë të përshpejtojë transformimin.

Madje, prodhuesi amerikan i makinave elektrike planifikon të prodhojë 500 mijë makina në vit në Gjermani me 12 mijë punonjës, ndërsa 25 mijë të Volkswagen prodhojnë vetëm 700 mijë makina në fabrikën e tij në Wolfsburg.

Një zëdhënës i kompanisë ka konfirmuar gjithashtu se prania e Tesla-s dhe të tjerëve në Gjermani, rrit urgjencën e kalimit në makina elektrike.

Megjithatë zëdhënësi ka mohuar se llogaritjet specifike ishin bërë për sa vende pune mund të humbnin në këtë proces.

“Nuk ka dyshim që duhet të adresojmë konkurrencën e uzinës sonë në Wolfsburg në funksion të hyrjeve të reja në treg”, ka thënë Michael Manske.

“Tesla po vendos standarde të reja për produktivitetin dhe shkallën në Grunheide”, ka shtuar ai, duke iu referuar një fabrike Tesla në ndërtim pranë Berlinit

Kjo fabrikë, në kapacitetin maksimal do të prodhojë pesë mijë deri në 10 mijë makina në javë, çka është më shumë se dyfishi i prodhuesit gjerman të makinave elektrike në vitin 2020.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar një debat dhe ka shumë ide të mira. Nuk ka skenarë konkretë”, ka vijuar Manske.

“Reuters” tregon se makinat elektrike kanë shumë më pak pjesë sesa një makinë me motor me djegie të brendshme dhe kështu, kërkojnë më pak punëtorë për t’u prodhuar.

Sipas një vlerësimi, si rezultat i elektrifikimit, mund të humbasin 100 mijë vende pune në industrinë gjermane të automobilave deri në vitin 2025.

Fabrika e Volkswagen në Wolfsburg, më e madhja në botë me mbi 50 mijë punonjës, aktualisht nuk prodhon të tilla, por që planifikon të prodhojë një sedan elektrik nga viti 2026.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore