Biznes

Shefi i Rheinmetall i kërkon Evropës të ndërtojë kampionë të teknologjisë së mbrojtjes


Shefi i Rheinmetall – kontraktorit më të madh ushtarak të Gjermanisë – u ka kërkuar vendeve evropiane të heqin dorë nga preferencat e tyre për kampionët kombëtarë.

Por të ndërtojnë grupe më të mëdha e më të specializuara të mbrojtjes për të konkurruar me rivalët amerikanë.

Armin Papperger ka thënë se nëse Evropa dëshiron një bashkëpunim më të ngushtë të mbrojtjes, vendet duhet të specializohen në lloje të ndryshme të teknologjisë ushtarake.

“Nuk ka shumë kuptim nëse ne zgjedhim teknologjinë e dytë ose të tretë më të mirë, sepse një komb e dëshiron këtë për arsye nacionaliste”, ka thënë ai për Financial Times.

“Ky është diskutimi më i vështirë që ata po bëjnë në nivel qeveritar. Ne kemi nevojë për kompani të mëdha në Evropë”.

Përpjekjet e liderëve të BE-së për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtje janë penguar nga fragmentimi i industrisë.

Kompanitë evropiane të armëve konkurrojnë kundër njëra-tjetrës, buxhetet ushtarake kontrollohen në nivel kombëtar dhe vendet individuale janë të prirura të mbajnë kontrollin e zinxhirëve strategjikë të furnizimit, impianteve, vendeve të punës dhe avantazheve teknologjike.

Nxitimi i Evropës për të rimobilizuar ushtritë e saj ka qenë një ndihmë për kompani të tilla si Rheinmetall, e cila prodhon automjete luftarake të këmbësorisë, drone luftarake dhe armën që ndodhet në tankun Leopard 2.

Kompania me bazë në Düsseldorf e themeluar në vitin 1889 bëri biznes me Rusinë derisa qeveria gjermane tërhoqi licencën e saj të eksportit në vitin 2014 pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Kremlini.

Që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, çmimi i aksioneve të Rheinmetall është rritur më shumë se pesë herë dhe kompania pret të ketë një grumbull të porosive nga anëtarët e NATO-s dhe aleatët e saj me vlerë 60 miliardë euro deri në fund të vitit 2024.

Papperger muajin e kaluar shiti aksione me vlerë pothuajse 5 milionë euro – pak më shumë se 6 për qind e totalit të zotërimeve të tij në kompani.

Rheinmetall sakaq ka ringjallur ambiciet për të konsoliduar më tej industrinë e përhapur të mbrojtjes në rajon.

Vitin e kaluar, kompania përfundoi blerjen prej 1.2 miliardë eurosh të rivalit të saj spanjoll Expal, i cili çimentoi pozicionin e saj udhëheqës në zinxhirin e furnizimit me municione.

Më 18 mars, ra dakord të blinte Reeq, një prodhues holandez i mjeteve tokësore pa pilot të përdorura për luftime, për një shumë të pazbuluar.

Një figurë e zhurmshme dhe e prirur ndaj polemikave në një industri që zakonisht operon nën radar, Papperger, i cili gjithashtu i bëri thirrje BE-së që të konsideronte një ekuivalent me sistemin e mbrojtjes të Kupolës së Hekurt të Izraelit, është i kënaqur me rizgjimin ushtarak të Gjermanisë.

Teksa kontraktorët e tjerë gjermanë të mbrojtjes janë ankuar për mungesën e porosive konkrete nga Berlini, Papperger ka thënë se Rheinmetall kishte qenë në gjendje të rriste shpejt kapacitetin – kompania do të prodhojë vitin e ardhshëm 700 mijë predha artilerie krahasuar me 70 mijë një vit para 2022-shit – falë investimeve në linjat e reja të prodhimit përpara se lufta të kthehej në Evropë.

“Unë gjithmonë kam menduar se jeta është e rrezikshme dhe se bota është e rrezikshme”, ka thënë Papperger, i cili ka qenë me Rheinmetall që nga viti 1990.

“Kjo është arsyeja pse ne investuam herët”.

Lokalizimi dhe rritja e kapacitetit të prodhimit në shumë vende ishte e rëndësishme për porositë e ardhshme, sipas tij.

“Duhet t’u ktheni diçka vendeve. Kjo është ajo që unë diskutoj në këtë moment me kryeministrat”.

Nëse Donald Trump do të bëhej president i SHBA-së, “presioni do të jetë më i lartë” mbi Gjermaninë, sipas Papperger.

Por gara për të rindërtuar forcën ushtarake të vendit do të vazhdonte pavarësisht se kush do të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë.

Në dekadat e fundit, liderët evropianë e kishin marrë si të mirëqenë që SHBA do të ndihmonte kontinentin në rast të një kërcënimi ushtarak, por “kjo nuk do të ndodhë më”, për Papperger.

SHBA-të kishin dërguar një “mesazh shumë të qartë, i cili ishte që ne nuk paguajmë më për ju”.

Por aftësitë mbrojtëse të SHBA-ve u përballën me sfidat e tyre, me Papperger që veçoi polarizimin politik në rritje.

“Një detyrë e madhe për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve do të jetë që të bashkojë më shumë dy partitë. Është keq nëse ekonomia më e madhe në botë është një komb i ndarë”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore