Lajme

Shefi i OKB-së: “Shkelje të qarta” të ligjit ndërkombëtar në Gaza


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza, duke shtuar se ka “shkelje të qarta” të ligjit ndërkombëtar humanitar në enklavën e rrethuar.

“Më lejoni të jem i qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Guterres në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Guterres gjithashtu bëri presion për lejimin e shumë më tepër ndihmave humanitare në Gaza.

“Furnizimet tona të karburantit të OKB-së në Gaza do të mbarojnë brenda disa ditësh. Kjo do të ishte një fatkeqësi tjetër. Për të lehtësuar vuajtjet epike, për të bërë më të lehtë dhe më të sigurt shpërndarjen e ndihmave dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve, unë përsëris apelin tim për një armëpushim të menjëhershëm humanitar”, theksoi ai.

Shefi i OKB-së thotë se ishte e rëndësishme të njihej se sulmet nga Hamasi “nuk ndodhën në vakum”.

“Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet”, deklaroi ai para anëtarëve të KS të OKB-së.

“Ata e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet, të rrënuara nga dhuna, ekonominë e tyre të mbytur, njerëzit e tyre të zhvendosur dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara. Shpresat e tyre për një zgjidhje politike të gjendjes së tyre janë zhdukur”, shtoi Guterres.

Megjithatë, Guterres u shpreh se ankesat e palestinezëve nuk mund të justifikojnë “sulmet e tmerrshme” nga Hamasi, dhe që nga ana tjetër nuk mund të justifikojnë “dënimin kolektiv të popullit palestinez”.

“Në një moment vendimtar si ky, është jetike të jemi të qartë mbi parimet – duke filluar me parimin themelor të respektimit dhe mbrojtjes së civilëve”, ravijëzoi shefi i OKB-së në përmbyllje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore