Biznes

Shefi i Nike mbron biznesin e firmës në Kinë


Shefi ekzekutiv i Nike-ut, John Donahoe, ka bërë një mbrojtje të fortë të biznesit të firmës në Kinë pasi u përball atje me një bojkot të konsumatorëve.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se Donahoe ka thënë se “Nike-u është një markë që është e Kinës dhe për Kinën”, në përgjigje të një pyetje në lidhje me konkurrencën nga markat kineze.

Këtë e ka bërë të ditur teksa po fliste gjatë një telefonate me analistët e Wall Street-it rreth raportit të fundit të fitimeve të markës.

Mirëpo, komentet e tij vijnë pasi kompania e veshjeve sportive është goditur kohët e fundit nga një reagim i ashpër për deklaratat në lidhje me rajonin e Xinjiang-ut.

Komentet e Donahoe-s janë bërë gjatë një diskutimi mbi fitimet e tremujorit të katërt të Nike-ut, i cili tregoi se të ardhurat ishin dyfishuar në 12.3 miliardë dollarë për tre muaj deri në fund të muajit mars.

BBC shkruan se kjo rritje e ka ndihmuar kompaninë të kthehej në një fitim prej 1.5 miliardë dollarësh, nga një humbje prej 790 milionë dollarë gjatë pandemisë së një viti më parë.

Gjithashtu shifrat kanë treguar se të ardhurat në Kinë u rritën në më shumë se 1.9 miliardë dollarë, por humbën parashikimet e Wall Street-it prej 2.2 miliardë dollarësh.

Sipas Donahoe-s, ai është i bindur se Kina do të vazhdojë të jetë një treg me rritje të shpejtë për kompaninë për shkak të investimeve të saj shumë vjeçare atje.

“Ne gjithmonë kemi marrë një pamje afatgjatë. Ne kemi qenë në Kinë për mbi 40 vjet”, është shprehur ai.

Ai ka vijuar se Phil Knight-i “investoi kohë dhe energji të konsiderueshme në Kinë në ditët e para dhe sot ne jemi marka më e madhe sportive atje”, duke iu referuar bashkëthemeluesit të Nike-ut dhe ish shefit ekzekutiv.

Pse u bojkotua Nike-u në Kinë?

Kohët e fundit, disa marka perëndimore, duke përfshirë Nike-un dhe shitësin suedez të modës të quajtur H&M, janë përballur me një reagim nga blerësit kinezë pasi firmat shprehën shqetësime në lidhje me përdorimin e pretenduar të punës së detyruar të ujgurëve në prodhimin e pambukut.

Një grup vendesh perëndimore vendosën në muajin mars, sanksione ndaj zyrtarëve në Kinë për abuzime të të drejtave kundër grupit të pakicës Ujgure, kryesisht myslimane.

Këto sanksione të vendeve u prezantuan si një përpjekje e koordinuar nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

BBC ka publikuar në muajin dhjetor, një hetim të bazuar në kërkime të reja që tregonte se Kina detyronte qindra mijëra pakica, duke përfshirë Ujgurët, në punë manuale në fushat e pambukut të Xinjiang-ut.

Çfarë është Xinjiang-u dhe kush janë Ujgurët?

Xinjiang-u është rajoni më i madh i Kinës, i cili prodhon afro një të pestën e pambukut në botë. Në teori, ai është një rajon autonom, por në të vërtetë përballet me kufizime, të cilat janë rritur sidomos në vitet e fundit

BBC shkruan se miliona ujgurë të Kinës, një pakicë myslimane që e sheh veten të afërt nga pikëpamja kulturore dhe etnike me kombet e Azisë Qendrore, jetojnë në pikërisht në këtë rajon.

Migrimi masiv i Han Kinezëve (shumica etnike e Kinës) në Xinjiang gjatë dekadave të fundit, ka nxitur tensione me Ujgurët, çka në disa raste është kthyer në dhunë me pasoja vdekjeje.

Mirëpo, kjo ka rezultuar në një goditje masive të sigurisë dhe një program të gjerë shtetëror të mbikëqyrjes, për të cilin kritikët thonë se shkelin të drejtat e Ujgurëve. Ndërsa Kina thotë se masa të tilla janë të nevojshme për të luftuar separatizmin dhe terrorizmin.

Ata janë ndaluar në kampe ku janë shfaqur akuza për tortura, punë të detyruar dhe abuzime seksuale.

Por, Kina i ka mohuar këto pretendime duke pohuar se kampet janë objekte “riedukimi” që synojnë të nxjerrin ujgurët nga varfëria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore