Lajme

Shefi i KFOR kritikon Kurtin: Prej dy vitesh vetëm hapa pas, boll më me veprime të njëanshme


“Kryeministri Albin Kurti ka gabuar në vendosjen e kryetarëve të komunave, të cilët nuk njihen nga shumica serbe”.

Ky është reflektimi i gjeneralit italian të NATO-s, Angelo Michele Ristuccia, i cili drejton edhe forcat e vendosura të KFOR-it në Kosovë.

Gjatë një rrëfimi të bërë në gazetën italiane “Corriere della Sera”, Ristuccia shpjegon qartësisht se NATO-ja nuk mundet të jetë ombrella për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme, duke iu referuar këtu atyre të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me nxitjen e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore, për t’u futur në objektet institucionale.

“Në radhë të parë, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i Qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”.

Kështu e ka përcjellë ai gjithë dinamikën e orëve të vështira, ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në përleshje me serbët në veri.

Më tej, gjenerali ka shpjeguar edhe një dilemë, midis legjitimitetit të veprimit të Qeverisë kosovare, dhe asaj çfarë duhej bërë në realitet.

“Ju lutem, mos të shtiremi më sikur kjo është një situatë normale”, i është përgjigjur ai pyetjes së gazetarit italian, Marco Imarisio. “Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira”.

Madje, më tej, gjenerali shpjegon se kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe mbi të gjitha se është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë.

“Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh. Kur më fliste, kryeministri Kurti ishte gjithmonë dakord me këtë qasje”, i tregon ai gazetarit, i cili e pyet nëse sot tashmë, situata nuk është më e njëjtë dhe nëse Kurti nuk i ka ndjekur më këshillat e tija.

“Pyeteni atë vetë”, ia kthen Ristuccia shkurtimisht përgjigjen.

Mirëpo sërish, gazetari e ka replikën gati, duke i parashtruar gjeneralit italian se Kurti ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe nuk mund të përkulet përpara dhunës apo shantazhit.

“Si ushtarë, ne jemi të shqetësuar për sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes së dy grupeve etnike. Unë nuk i gjykoj vendimet politike, por kam për detyrë të shqetësohem për pasojat e tyre, të cilat në një kontekst kaq delikat mund të çojnë lehtësisht në përshkallëzim, siç e kemi parë”.

Kështu është përgjigjur komandanti, duke theksuar fuqimisht se pa NATO-n, veriu i Kosovës do të ishte një “luftë e shpërthyer”.

“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës”, shton ai. “Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato. Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt”.

Pavarësisht kësaj, ai e pranon se përgjegjësia nuk është vetëm e një pale, por e të dyjave, pasi kanë qenë të paafta për të arritur objektivat e vendosura ndër vite.

Në çastin që ka një marrëveshje, sipas tij, ajo duhet implementuar, por pa dialog, mbeten thjesht “letra të vdekura”.

Retorika e saturuar e palëve, është krejtësisht jo produktive sipas gjeneralit dhe përtej kësaj, është edhe e rrezikshme dhe disfunksionale për objektivat që komuniteti ndërkombëtar kërkon të arrijë në Kosovë.

“Rezultate të rëndësishme janë arritur në 20 vitet e fundit. Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore. Por duke filluar nga viti 2021, për çdo hap para kemi pasur dy hapa pas. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të shfrytëzuara nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikave ekstremiste, të cilat kanë cenuar stabilitetin mes dy grupeve etnike”, vijon më tej ai.

Teksa në mbyllje, shtjellon se ndërhyrja e tyre krijoi një efekt afatshkurtër.

Përmes veprimeve diplomatike, Serbia dhe Kosova kanë filluar sërish të bisedojnë me njëra-tjetrën.

“Shpresojmë që kjo periudhë kohore të përdoret për të nisur negociatat reale. Siç nuk është bërë deri më tani”, përfundon gjenerali Ristuccia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore