Lajme

Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd – “E vlerësojmë pozicionin e Serbisë ndaj Ukrainës”


Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se unioni evropian vlerëson pozicionin e Serbisë për të dënuar agresionin dhe luftën pushtues të Rusisë në Ukrianë, dhe se e kuptojnë që Serbia ka “një histori të caktuar” marrëdhëniesh me Rusinë.

“Ne vlerësojmë faktin se Serbia mbështeti 141 vendet e OKB-së në dënimin e sulmit të Rusisë. Ky është një pozicion me rëndësi. Ne po ashtu vlerësojmë faktin se Serbia e ka bërë të qartë se respekton integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë ai, transmeton RTS.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, gjithashtu tha se vlerësojnë që ”Serbia është bashkuar në ndihmat humanitare ndaj Ukrainës, ka miratuar pakot e njëjta me BE-në. Ajo gjithashtu ka mbështetur një numër të madh deklaratash që ka bërë BE rreth konfliktit”.

Sipas tij, Serbia është e vendosur në rrugën e saj evropiane si “qëllim strategjik”, teksa tha se si çdo vend tjetër kandidat, “pritet që ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së”.

“Sigurisht, për neve është e qartë që Serbia ka një histori specifike dhe se është në rrethana specifike, dhe ne vazhdimisht po bisedojmë me qeverinë për pritjet e harmonizimit gradual të politikës së jashtme me BE-në”, ka thënë Giaufret.

“Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane, përfshirë Serbia, dhe ne duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të BE-së. Që Serbia të bëhet anëtare duhet të shtojë përpjekjet për të punuar në reforma, që do ta sjellin Serbinë brenda familjes evropiane”, tha shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore