Lajme

Shefi i BE-së në Kosovë nga Manastiri i Deçanit: “Të zbatohet vendimi i Kushtetueses”


Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it duke dalë nga takimi në manastirin e Deçanit

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë vizituar Manastirin e Deçanit.

Në takimin i cili filloi paraditen e së martë, ambasadorët u takuan me klerikun Sava Janjiç.

Temë e takimit, që zgjati më shumë se tri orë, ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth tokave të Manastirit dhe mos zbatimi i tij.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet”, ka deklaruar Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për Albanian Post, pas këtij takimi.

Ai gjithashtu ka shtuar se kërkon nga institucionet e Kosovës që ta zbatojnë vendimin e kësaj gjykate dhe t’i kthejnë Manastirit 24 hektar tokë në pronësi.

Se i bënë vizitë Manastirit të Deçanit, ka treguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeff Hovenier.

Hovenier shpërndau një postim në llogarinë e tij në Twitter, bashkë me disa fotografi të takimit, duke thënë se ndjehet i kënaqur që iu bashkua kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në vizitën në fjalë.

Të njejtën kërkesë Ambasadorët e QUINT-it e bënë edhe para katër dite. Lëshuan një deklaratë të përbashkët përmes ambasadës amerikane në Prishtinë, për çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

“Zbatimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike”, thuhej në letrën e QUINT-it.

“Ato janë gjithashtu parakushte të nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Manastiri i Deçanit.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të janarit, tha se autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore