Biznes

Shefat e kompanive të vaksinave mRNA me dyfishim të pasurisë gjatë dy viteve të fundit


Shefat ekzekutivë të Pfizer, BioNTech dhe Moderna kanë ndarë më shumë se 100 milionë dollarë paga gjatë pandemisë.

Me këtë, ata kanë reflektuar suksesin e madh tregtar të vaksinave mRna COVID të zhvilluara nga kompanitë e tyre farmaceutike.

Respektivisht, Albert Bourla, Ugur Sahin dhe Stéphane Bancel kanë parë rritjen e pasurisë së tyre gjatë dy viteve të fundit për shkak të rritjes së çmimit të aksioneve të nxitura nga entuziazmi i investitorëve.

Vaksinat e prodhuara nga kompanitë e tyre kanë shpëtuar miliona jetë gjatë pandemisë, duke transformuar kompanitë që i zhvillojnë ato dhe duke shkaktuar një rritje të çmimeve të aksioneve.

Çmimi i aksioneve të Pfizer-it është rritur 60 për qind gjatë 24 muajve të fundit. Kurse vlera e aksioneve të BioNTech-ut dhe Moderna-s është trefishuar.

Bancel i Moderna-s dhe Sahin i BioNTech janë bërë miliarderë si rezultat i aksioneve të tyre prej 7.8 për qind dhe 17.1 për qind në kompani, të cilat kanë vlerë rreth 5.4 miliardë dhe 7.8 miliardë dollarë.

Një analizë e paketave të shpërblimit të prodhuesve të vaksinave mRna në vitet 2020 dhe 2021 tregon se Bourla-s iu dha rritja më e madhe e pagave për pandeminë.

Ai mori 45.3 milionë dollarë në periudhën kohore 2020-2021, krahasuar me 27.7 milionë dollarë në atë 2018-2019.

Sakaq, Sahin mori 30.8 milionë dollarë shpërblim, krahasuar me 8.5 milionë dollarë në periudhën 2018-2019.

Shpërblimi total për tre zhvilluesit e vaksinave mRna u rrit në 107.2 milionë dollarë në periudhën kohore 2020-2021, krahasuar me 103.7 milionë dollarë në dy vitet e mëparshme.

Referuar ekspertëve, rezultatet e shpërblimit reflektojnë fitimet e mëdha të lidhura me vaksinat COVID, por edhe mënyrën sesi pagesa në sektorin e biofarmave po afrohej me sektorë të tjerë të mëdhenj.

Nga ana tjetër, aktivistët kanë kritikuar paketat e pagave për shefat ekzekutivë të prodhuesve të vaksinave, duke akuzuar kompanitë për përfitime të padrejta nga pandemia dhe se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të siguruar akses me kosto të ulët në vendet e varfra.

Por ka pasur pak reagime nga investitorët që janë shpërblyer shumë për mbështetjen e kompanive.

Bancel ka përfituar nga rritja fenomenale e kapitalizimit të tregut të Moderna-s duke shitur 404 milionë dollarë aksione që nga janari 2020.

Ndërsa Bourla ka shitur 5.6 milionë dollarë aksione në të njëjtën ditë kur Pfizer dhe BioNTech thanë se vaksina e tyre ishte 90 për qind efektive.

Sahin, në krahun tjetër, nuk ka bërë ndonjë shitje të konsiderueshme të aksioneve.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur nga “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore