Shea: Perëndimi po bën trysni më të madhe ndaj të dobëtit, kjo nuk është një qasje korrekte

SHFLETO

Jamie Shea

 

Armat Matoshi
22.08.2023 22:43
Loading Icons...

Ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një prononcim për televizionin “Tëvë1″, ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën gjithnjë e më të mprehtë në pjesën veriore të territorit të banuar me serbë etnikë.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, por profesori i strategjisë dhe sigurisë ka konsideruar se tash presioni duhet t’i orientohet Serbisë.

“Janë për t’u përshëndetur përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të de-eskaluar situatën në pjesën veriore të vendit dhe për t’i integruar sërish serbët në shërbimet publike. Në periudhën e fundit situata në pjesën veriore ka qenë e qetë dhe tani shpresoj që kjo do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Shea ka vlerësuar se trysnia ndaj Kosovës është më e madhe për shkak të dobësisë së saj dhe varësisë nga Perëndimi, ndërsa ka sugjeruar se do të ishte me produktive nëse presioni orientohet ndaj palës më fortë.

“Të jemi të sinqertë është e vërtetë se Kosovës po i bëhet më shume presion sesa Serbisë. Kjo po ndodh për arsyen se Kosova është më e varur nga Perëndimi në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë, prandaj këta të fundit e kanë më të lehtë që të ushtrojnë presion mbi palën më të dobët”.

“Megjithatë sipas meje kjo nuk është një qasje korrekte që t’i bësh presion gjithnjë palës më të dobët, do të duhej të ishte e kundërta, pra presion duhet te kishte mbi palën më të fortë. Rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian duhet të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Megjithatë, për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian kanë konsideruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në veri dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.