Kosova

Shea për Albanian Post: Qeveria t’i dëgjojë miqtë për Urën e Ibrit – veprimet e Kurtit në Veri disa herë prodhuan tensione


Me gjithë insistimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta hapur Urën e Ibrit, për ish-zëdhënësin e NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, është i domosdoshëm koordinimi i Qeverisë me miqtë ndërkombëtarë, meqë sipas tij, disa nga veprimet e ekzekutivit në Veri kanë prodhuar tensione.

“Besoj se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të qëndrojë e lidhur ngushtë me miqtë dhe partnerët e saj ShBA-në, BE-në dhe NATO-n. Që kur u bë kryeministër Albin Kurti ka ndërmarrë një sërë hapash për integrimin e plotë të veriut, por shumë prej tyre kanë prodhuar tensione”, tha Shea në një bisedë për Albanian Post.

Profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel thotë se të gjitha mosmarrëveshjet mes Kosovës duhet të zgjidhen vetëm përmes dialogut, por insiston që kësaj here të dëgjohen këshillat e vendeve të QUINT-it për Urën e Ibrit e cila që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

“Rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd është kyç në këtë drejtim. Pra, si në jetë, koha në politikë është gjithçka. Miqtë e Kosovës ia duan të mirën Kosovës. Nëse të gjithë besojnë se koha nuk është e duhura, ata duhet të dëgjohen”, shtoi Shea.

Edhe ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, tha të dielën për AP se do të ishte mirë t’i dëgjonte këshillat e miqve sa i përket hapjes së urës së Ibrit në Mitrovicë, derisa kryeministri Kurti, ka ngulur këmbë në hapjen e urës me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it.

“Të veprosh kundër këshillave të miqve të Kosovës do të thotë të veprosh kundër interesave mbizotëruese të qytetarëve. Prandaj, Qeveria e Kosovës do të ishte mirë që të ndiqte këshillat e QUINT-it dhe NATO-s”, tha Buhler në një bisedë për Albanian Post.

Erhard Buhler

Megjithatë, ish-ushtaraku gjerman thotë se “ura duhet të hapet një ditë” dhe se është në interes të të gjithë njerëzve që urat të jenë të hapura në çdo aspekt.

“Por është edhe në interes të të gjithë qytetarëve që të veprojnë në koordinim me miqtë e Kosovës”, potencoi gjenerali gjerman që shërbeu si komandanti i parë i KFOR’it në Kosovë.

Ndërsa si njohës deri në detaje i situatës në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, ai nënvizon se fatkeqësisht, ky “balancim interesash” jo gjithmonë është bërë në vitet e fundit.

Ndërkaq javën e kaluar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, njoftoi se qëndrimi i shteteve të QUINT-it (SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe i NATO-s është kundër hapjes së urës.

Por kryeqeveritari Kurti ka insistuar se “ura duhet të hapet”, duke theksuar se liria e lëvizjes nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë.

“Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, tha Kurti.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende.

Ura e Ibrit, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë. Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore