Lajme

Shea: Nëse grupet ekstremiste serbe nuk shpërbëhen, ekziston një probabilitet i madh që të depërtojnë në Kosovë


Ish-zëdhënësi I NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, i cili është edhe profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel, thotë për Albanain Post se dislokimi i sistemeve kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën nga Serbia, “nuk ka absolutisht asnjë kuptim”, meqë thotë se Kosova nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë dhe nuk ka forcë ajrore të saj.

“Kërcënimi kryesor do të ishte për helikopterët e KFOR-it që fluturojnë në hapësirën ajrore të Kosovës, gjë që do ta bënte një dislokim të tillë një akt armiqësor ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot është në Beograd dhe mund të shpresojmë të zbulojë saktësisht se çfarë po planifikon Presidenti Vuçiç dhe ta bind atë të mos përshkallëzojë situatën”, potencoi Shea.

Ndërsa kur flet për paralajmërimin e presidentit të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky se ka informacione se Rusia po planifikon të nis “një luftë në Balllkan”, Shea vuri në pah se “Moska mund të ketë një interes për të nxitur më shumë probleme në Ballkanin Perëndimor për të larguar vëmendjen e NATO-s nga agresioni i saj kundër Ukrainës”.

“Megjithatë, nëse Serbia është serioze për anëtarësimin e saj në BE, ajo duhet të shtypë rrjetet ruse të ndikimit brenda Serbisë dhe çdo formë bashkëpunimi midis Moskës dhe grupeve paraushtarake serbe nëse zbulohen këto lidhje. Nëse këto grupe ekstremiste ilegale nuk shpërbëhen, ekziston jo vetëm një rrezik, por një probabilitet i madh që ata të depërtojnë në Kosovë për të shkaktuar dhunë dhe kaos të mëtejshëm”.

Për mos t’u përsëritur sulmet terroriste dhe për ta siguruar më mirë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ai insiston që NATO duhet të rris përgjithmonë numrin e ushtarëve në Veri – për ta parandaluar futjen e paraushtarakëve serbë dhe kontrabandës së armëve.

“Pra, përforcimet e KFOR-it të dërguara në Kosovë që nga pranvera duhet të mbeten për momentin. NATO dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojnë presionin ndaj Beogradit për të qenë transparent në lidhje me praninë e grupeve paraushtarake dhe për të treguar bindshëm se i ka çmontuar ato”, potencoi Shea.

“Serbia s’është e interesuar për paqe”: Çfarë po planifikon Vuçiç?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore