Lajme

SHBA-të paralajmërojnë Korenë e Veriut që të mos i shesë armë Rusisë


Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Korenë e Veriut kundër shitjes së municioneve Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa tensionet mes Phenian-it dhe Washington-it vazhdojnë të rriten.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për marrëveshjet e mundshme të armëve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.

“Ne i bëjmë thirrje DPRK-së të ndërpresë negociatat e saj të armëve me Rusinë dhe të respektojë angazhimet publike që Pheniani ka marrë për të mos ofruar apo shitur armë Rusisë”, tha Kirby, duke iu referuar Koresë së Veriut me emrin e saj zyrtar, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

Kirby shtoi se SHBA-të besojnë se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u përpoq të bindte Phenian-in që t’i shiste municione artilerie Moskës kur ai vizitoi Korenë e Veriut dhe u takua me liderin e saj Kim Jong Un në korrik.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të detajojë se si zyrtarët amerikanë kishin mbledhur informacionin.

SHBA-të kanë paralajmëruar konkurrentët dhe kundërshtarët e saj – përfshirë Kinën – kundër ndihmës së Rusisë në ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë.

Komentet e Kirby të mërkurën erdhën vetëm disa javë pasi presidenti rus Vladimir Putin dhe Kim shkëmbyen letra duke u zotuar për të forcuar lidhjet midis dy vendeve të tyre.

Vitin e kaluar, SHBA-të akuzuan Korenë e Veriut për dërgimin e fshehtë të predhave artilerie në Rusi.

Misionet e Koresë së Veriut dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara në New York nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Si Koreja e Veriut ashtu edhe Rusia kanë mohuar më parë akuzat e SHBA-ve për armë.

Koreja e Veriut, megjithatë, ka mbajtur anën e Rusisë për luftën në Ukrainë, duke këmbëngulur se “politika hegjemoniste” e Perëndimit të udhëhequr nga SHBA-të e ka detyruar Moskën të ndërmarrë veprime ushtarake për të mbrojtur interesat e saj të sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore